Bashkia e Tiranës prezanton planin strategjik për transportin e Tiranës – (30 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Plani strategjik i transportit të Tiranës është prezantuar sot në bashkinë e kryeqytetit. Një studim i detajuar që përfshin projektet e rehabilitimit dhe zgjerimet e rrugëve, përmirësimet në kryqëzime, qarkullimin e këmbësorëve dhe çdo gjë që ka të bëjë me rrjetin urban, do të zbatohet së shpejti për të krijuar fytyrën e re të Tiranës.
Studimi është financuar nga Banka Botërore, ku janë angazhuar një sërë institucionesh, si bashkia e kryeqytetit, Ministria e Transporteve dhe Ministria e Punëve Publike. Përveç kësaj projekti parashikon edhe rehabilitimin e plotë të rrjetit hidrik në kryeqytet, në bazë të disa studimeve të bëra. Për këtë projekt, nënkryetari i bashkisë Blendi Gonxhe shpjegon.
Blendi Gonxhe:- “Në vendet ku kjo unazë e parë e qytetit do të ndërtohet, ky plan ne na ndihmon që të shkojmë në vend dhe të vendosim sa do harxhojmë, ku do të ndërtohet dhe nga do t’i gjejmë fondet. Menjëherë do të fillojmë me çështjen e transportit publik, do të fillojmë me semaforët, do të fillojmë me disa ndërtime, zgjerime rrugësh dhe ndërtimin e një ure. Pra të gjitha këto janë pjesë e këtij plani të madh, i cili është bërë me financimin e Bankës Botërore”.
Me financimin e këtij plani strategjik si studimi më i plotë i bërë deri tani në vendin tonë, sot janë mbledhur përfaqësues të bashkisë, Bankës Botërore, si edhe specialistë që kanë punuar me projektin. Ndërkohë që ky studim ka një afat rreth pesë vjet për zbatimin e tij./tvklan.al