Bashkia e Tiranës prezanton projektet për rrugët e kryeqytetit – (17 Mars 2001)


Bashkia e Tiranës prezanton projektet për rrugët e kryeqytetit – (17 Mars 2001)

19:18 17/03/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

14 projektet e infrastrukturës së kryeqytetit, janë gati në Bashkinë e Tiranës. Të gjitha këto projekte përfshijnë rehabilitimin e plotë të disa akseve kryesore, duke u realizuar edhe me ndihmën e qeverisë. Njëri nga këta projekte ambiciozë është edhe zgjerimi i segmentit rrugor Laprakë – Zogu i Zi. Projekti përfshin, që ky kryqëzim do të ketë një nënkalim të unazës së Tiranës, ndërsa rruga do të jetë me katër korsi të kalimit të makinave.

Realizimi i këtij projekti që kushton rreth tre milion dollarë është bërë më ndihmën e Bankës Botërore. Ndërsa drejtoria e rrugëve pranë bashkisë në një marrëveshje me Ministrinë e Transporteve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve është duke nisur realizimin e punimeve në të gjitha hyrjet e kryeqytetit. Për këto projekte, nënkryetari i bashkisë Blendi Gonxhe thotë.

Blendi Gonxhe:- “Ne po punojmë intensivisht që të mbarojmë 14 projekte, të cilat nuk kanë qenë realizuar më parë. Këto projekte do të tenderohen me prokurime të ndryshme dhe fundi i Marsit është fillimi i një bumi në punimet e infrastrukturës së qytetit”.

Ndërsa me fondin rezervë të qeverisë, brenda këtij muaji, priten të realizohen segmente nga “21 Dhjetori” deri në “Kombinat”, si dhe rruga problematike e Kinostudios./tvklan.al






Të ngjashme