Bashkia e Tiranës reformë në drejtorinë e punëve publike – (31 Janar 2001)


Bashkia e Tiranës reformë në drejtorinë e punëve publike – (31 Janar 2001)

20:08 31/01/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Fytyra e kryeqytetit duhet të ndryshojë pasi gjendja e tij sot është e mjerë. Por fondet që administron bashkia sot, janë të njëjta dhe të pandryshuara nga bashkia e Brojkës. 23 milion dollarë fonde jepen nga shteti si buxhet, 4 milion dollarë mblidhen nga tatimet dhe 500 mijë dollarë jepen nga Ministria e Punëve Publike për infrastrukturën. Të gjitha këto nuk mjaftojnë për të ndërhyrë në rrugë, kanalizime, ujë dhe gjithçka që kërkon ndryshim në kryeqytet.

Për këtë arsye Bashkia e Tiranës, ka reformuar që dje drejtorinë e punëve publike, si sektori më i ndjeshëm. Ky ristrukturim, sipas nënkryetarit të bashkisë Blendi Gonxhe, si dhe mirë administrimi i fondeve, do të sjellë katërfishimin e fondeve për infrastrukturën.

Blendi Gonxhe:- “Do të mundësojmë që një fond që Ministria e Punëve Publike na ka dhënë, prej 500 mijë dollarësh për riparimin e rrugëve, neve ta katërfishojmë nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, duke mirë-administruar dhe duke reformuar të gjitha strukturat në Bashkinë e Tiranës. Ajo që bie në sy, reforma administrative dhe ajo financiare, do të prekin në kuptimin më të plotë punët publike”.

Në reformën që ka përfshirë drejtorinë e punëve publike, janë duke u ristrukturuar të gjitha ndërmarrjet, ku sot janë larguar nga puna disa prej revizorëve të rrugëve.

Blendi Gonxhe:- “Kryetari Rama duke parë gjendjen mjaft të rëndë të rrugëve dhe duke parë një dështim total të të gjitha projekteve të bashkisë të realizuara deri tani për rrugët, ka vendosur dhe në bashkëpunim me të gjithë kryesinë, ka vendosur që të gjithë supervizorët aktual të rrugëve do të pushohen nga puna”./tvklan.al






Të ngjashme