Bashkia e Tiranës urdhëron firmat e ndërtimit të lirojnë trotuaret e zëna – (4 Dhjetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Të gjithë trotuaret e bllokuar nga firmat e ndërtimit, sot duhet të ishin të lirë. Bashkia para dy ditësh, urdhëroi të gjithë subjektet private, që deri sot të lironin trotuaret. Një grup me përfaqësues të bashkisë dhe policisë ndërtimore, kanë kontrolluar në vend të gjitha firmat e paralajmëruara. Nënkryetari i bashkisë, Artan Lame thotë:
Artan Lame:- “Sot në bashkëpunim me policinë ndërtimore, shumica e objekteve ka bërë lirimin e trotuareve. Deri tani kemi vetëm dy raste, kur janë në proces duke e liruar, por nuk e kanë liruar akoma, atyre iu vu gjobë dhe u është lënë afat deri ditën e premte që të mbarojnë rrethimin”.
Gjobat që ka vendosur bashkia, sot kanë shkuar deri në 50 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë, që dita e premte është lënë si afat për përfundimin e këtij urdhri, pasi çdo gjë më pas i takon policisë së ndërtimit, ku sanksionet dhe gjobat do jenë shumë më të larta./tvklan.al