Bashkia miraton buxhetin dhe planin urbanistik
Pas një mbledhje maratonë, e cila zgjati afro 14 orë, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar pa votat e opozitës Planin e Përgjithshëm Vendor dhe Buxhetin e 2017. Për Kryebashkiakun Erion Veliaj, plani është pragmatist dhe është konsultuar gjerësisht me qytetarët.
“Plani synon t’i japë Tiranës një identitet të ri urbanistik. Nuk është një plan i ngrirë, mekanik, i bukur në letër dhe i pazbatueshëm në praktikë, por një dokument që e trajton hapësirën e Tiranës së madhe si një organizëm fleksibël dhe pragmatik sepse fokusohet tek zgjidhjet praktike në të mirë të qytetarëve dhe jo tek vizatimet e bukura në hartë”.
Fillimisht LSI pati rezerva për mënyrën e diskutimit të Planit Urbanistik, por më pas dha votën pro.
13 projekte strategjike janë pjesë e planit zhvillimor të Tiranës. Pylli Orbital, Projekti i Oazëve Natyrorë, Unaza e 2 dhe e 4, Unazat e gjelbra dhe blu, Epiqendrat e Tiranës policentrite, Ruajtja e pasurisë arkitektonike të Shekullit XX. Sistem i ri bujqësor dhe rrjet i ri i tregjeve për fermerët janë disa nga pikat e tij.
Edhe diskutimi i buxheti i 2017 u shoqërua me debate.
“Buxheti i vitit të ardhshëm është shumë më ambicioz sesa viti që po lëmë pas. Pasi realizuam në 2016 buxhetin më të madh që ka pasur Tirana prej 12.4 miliard lekësh, vitin e ardhshëm ne do të kemi një buxhet prej 15, 3 miliardë lekë”,
u shpreh Veliaj.
39% e këtij buxheti do të shkojë për investime publike, pjesa më e madhe në infrastrukurë rrugore dhe trotuare, përfshi sinjalistikën, ngritjen e këndeve sportive, paisjen e shkollave me sisteme ngrohje.
Tv Klan