Bashkia vijon punën në rrugët e Tiranës
Veliaj: Trotuaret dhe biçikletat, emergjencë shëndetësore
Zgjerimi i trotuareve dhe krijimi i korsive të biçikletave në kryeqytet, për Kryebashkiakun Veliaj janë pjesë e emergjencës shëndetësore. Teksa inspektoi punimet në zonën e Librit Universitar, ish-stadiumin Dinamo dhe Sheshi Willson, Veliaj theksoi se një nga mësimet që na dha koronavirusi është nevoja për më shumë trotuare dhe korsi biçikletash.
“Për sa kohë që nuk kemi një vaksinë, e ardhmja do të jetë e këmbësorëve dhe e çiklistëve. Disa gjëra që më përpara i bënim sepse ishim bashki progresiste, pra rregullim trotuaresh, korsi biçikletash, tani do t’i bëjmë si detyrim dhe emergjencë shëndetësore. E di që tingëllon e çuditshme, por zgjerimi i trotuareve dhe korsitë e biçikletave janë pjesë e një emergjence shëndetësore, njësoj si shërbimi zjarrfikës, shërbimi policor apo shërbimi i ambulancës”.
Veliaj shtoi se në ato zona ku janë zgjeruar trotuaret, edhe puna tek bizneset është rritur më shumë.
“Janë bërë trotuaret e reja, duke filluar nga Presidenca, aty ku takohet me Bulevardin “Sulejman Delvina”, në të dy anët, edhe te Libri Universitar. Po të shikoni, tani që është hapur orari dhe është relaksuar pak situata e emergjencës, është shtuar më shumë puna në ato dyqane. Besoj se të njëjtin fat do të ketë edhe “Sulejman Delvina”, edhe Sheshi “Uilson”, deri këtu ku takohet me “Gjik Kuqalin”. Më përpara nuk e vinim re sepse më parë nuk e ndjenim nevojën e distancës sociale, por tani është absolutisht jetike”.
Trotuarët e rinj kanë gjerësi 2 metër, ndërkohë një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rampave për personat me aftësi të kufizuar.
Tv Klan