Bashkimi i Pfizer dhe AstraZeneca më efektiv
Shkencëtarët britanikë: Kombinimi i të dyjave, më shumë mbrojtje nga Covid-19
Britania ka nisur një provë për të kuptuar përgjigjet imune nëse dozat e vaksinave Covid-19 nga Pfizer dhe AstraZeneca kombinohen me dy faza.
Studiuesit britanikë janë shprehur se të dhënat për vaksinimin e njerëzve me dy lloje të ndryshme të vaksinave të koronavirusit mund të ndihmojnë për të kuptuar sesa fleksibilitet krijohet teksa njerëzit marrin dozën.
Shkencëtarët kanë bërë të ditur se qasja e re mund të sigurojë edhe mbrojtje më të mirë sesa kur jepen të ndara. Prova do të shqyrtojë përgjigjet imune të një doze fillestare të vaksinës Pfizer të ndjekur nga një përforcues i AstraZeneca, si dhe anasjelltas, me intervale prej 4 dhe 12 javësh.
Mënyra e re e përzierjes që po provohet mund të jetë e dobishme, pasi ajo mund të vlejë edhe për sëmundjen e Ebolës. Studimi Com-Cov, i drejtuar nga Konsorciumi Kombëtar i Vlerësimit të Programit të Imunizimit, do të përfshijë më shumë se 800 vullnetarë mbi moshën 50 vjeç në Angli.
Shkencëtarët do të monitorojnë vullnetarët për efekte anësore dhe do të mbajnë nën vëzhgim testet e gjakut për të parë se sa mirë përgjigjet sistemi i tyre imunitar.
Megjithëse studimi i plotë do të vazhdojë për 13 muaj, shkencëtarët shpresojnë të jenë në gjendje të nxjerrin disa të dhëna deri në qershor. Studimi gjithashtu do të sigurojë të dhëna për ndikimi i vaksinave në variante të reja dhe efektet e dozave të dyta.
Kjo strategji e re do të ketë nevojë për miratim nga Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin. Studimi do të rekrutojë për dy ose tre javët e ardhshme vullnetarë nga Londra, Birmingham, Liverpool, Nottingham, Bristol, Oksford dhe Southampton./tvklan.al