Basketbolli në zi, ndërron jetë Arben Fagu
Një lajm i trishtë vjen nga bota e sportit pasi një nga ikonat e basketbollit shqiptar, Arben Fagu, ka ndërruar jetë këtë të premte. Fagu nuk mundi të fitojë dot betejën me një sëmundje të rëndë që iu shfaq papritur.
Fagu ka qenë një prej ikonave të Partizanit. Ai ka luajtur edhe për ekipin kombëtar të basketbollit, ndërsa pasi u tërhoq nga basketbolli i luajtur iu kushtua trajnimit.
Arben Fagu e filloi karrierën e tij sportive, në moshë fare të re, në ekipin e klubit sportiv Partizani, ekip të cilit nuk iu nda asnjëherë, deri në vitet e fundit të karrierës së tij si trajner. Me ekipin e Partizanit, ai numëron shumë tituj kampion dhe është fitues i disa kupave të Shqipërisë. Ai ka kontributin e tij të padiskutueshëm si sportist, në aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare.
Arben Fagu, në karrierën e tij si trajner, shenjon në CV-në e tij rekorde si trajner i ekipit të Partizanit, Dinamos, Studentit dhe Universitetit Amerikan të Tiranës. Së fundmi, karriera e tij si trajner, mbyllet me ekipin të cilit i ka kushtuar jetën.
Arben Fagu ka qenë trajner i ekipit kombëtar të të rinjve dhe meshkuj të rritur në periudha të ndryshme kohore. Si trajner dhe profesor, do të përgatiste disa gjenerata lojtarësh, të cilët kanë qenë pjesë e ekipeve kombëtare ndër vite.
Ai ka qenë shembull i një pune të pakursyer në sport dhe në shoqëri. Pasionant dhe i disiplinuar, njohës mjaft i mirë i basketbollit modern dhe aplikues i tij me ekipin për të cilin punoi me shumë përkushtim gjatë gjithë jetës së tij.
Arben Fagu, do të mbahet mend edhe si një kritik mjaft aktiv për problematikën dhe zhvillimin e basketbollit në vend.
Reagime pas vdekjes së Fagut, FSHB: Humbje e madhe, do të ndihet në komunitetin e sportit
Lajmi për vdekjen e legjendës së basketbollit ka tronditur komunitetin e sportit dhe jo vetëm. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale Federata Shqiptare e Basketbollit shpreh ngushëllimet për një ndër ikonat më të mëdha që ka pasur ky sport.
“I bashkohet parajsës sot, një ndër ikonat e basketbollit shqiptar, për të cilin ndarja ishte e parakohshme. Humbja e tij do të ndjehet gjatë në mbarë komunitetin tonë, mjedisin akademik sportiv, në të cilin ai zë një vend nderi”, thuhej në deklaratë.
Duka: Humbën një ikonë dhe një mjeshtër
I tronditur për ndarjen nga jeta para kohe të sportistit të njohur është shprehur edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka.
“Sporti shqiptar humbi një ikonë dhe një mjeshtër, që ka dhënë shumë ndër vite qoftë si basketbollist e më pas si trajner e pedagog, duke edukuar sa e sa breza. Arben Fagu ishte pinjoll i një familjeje të madhe të sportit shqiptar, që ka nxjerrë kampionë të mëdhenj”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Duka thotë se përveçse një personalitet i njohur, Fagu ka qenë gjithashtu një mik i mirë dhe njeri i dashur.
“I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fagu për këtë humbje të madhe. Do të na mungojë të gjithëve! U prehtë në paqe”, shkruan ai.
Gazetari i njohur i sportit: E premte e zezë, zemra ndaloi në kohën e paduhur për Fagun
Ndërkohë gazetari i njohur i sportit, Defrim Methasani e konsideron të zezë këtë të premte, ditë nga e cila u nda nga jeta Fagu.
“E premte e zezë kjo e sotmja. Zemra ndaloi në kohën e paduhur për ish-basketbollistin, trajnerin dhe pedagogun Arben Fagu, pinjoll i një familje dhe dinastie të njohur sportive”, shprehet ai.
Sipas gazetarit, Fagu kishte ende për të dhënë në sport.
“Beni ishte njeriu punëtor dhe profesionist që nuk bënte kompromise në kurriz të së vërtetës dhe ndershmërisë në sport. Lamtumirë mjeshtër. Ngushëllime familjes Fagu, vëllait të madh Gimit, trashgimtarëve të tij, por dhe familjes së madhe të basketbollit dhe sportit shqiptar”, shkruan ai.
Ndarja nga jeta e Arben Fagut, Rama: I kujtoj me mallëngjim të qeshurën, faleminderit për gjithçka na dhe
Ndarja para kohe nga jeta e ikonës së basketbollit, Arben Fagu, ka sjellë reagimin e kryeministrit Edi Rama. Si ish trajner i tij, Rama thotë se me vdekjen e Fagut është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai drejtonte skuadrën e Dinamos. Kryeministri Rama u shpreh ngushëllime familjarëve të tij. Ai falenderon veprimtarinë e Fagut dhe thotë se ikona e basketbollit nuk ka kërkuar asgjë tjetër përveç respektit plotësisht të merituar.
“Sot kujtoj me mallëngjim pikërisht të qeshurën e tij prej njeriu tejet të çiltër dhe nuk e besoj dot që Ben Fagu s’është më! As e imagjinoj asfare hiç dot dhimbjen e Gimit e të krejt asaj familjeje të dinjitetshme e shumë të respektuar për mua, por duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për mikun e trainerin tim të paharruar, lutem që prehja e tij të jetë e paqtë dhe kujtimi i tij qoftë gjithnjë i paharrueshëm! Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar”, shkruan Rama.
Ndër të tjera, kryeministri Edi Rama kujton ambicien që Arben Fagu solli tek Dinamo dhe marrëdhënies së ngushtë që krijonte ai me lojtarët.
“Beni ishte vëllai i vogël i diktatorit kuqezi të parketit shqiptar, Gim Fagut, i cili e ktheu Partizanin në makinerinë shtypëse të kampionateve shqiptare dhe magjepsi çdo kundërshtar e trajner të huaj, që vinte nga bota tjetër për t’u ndeshur me të kuqtë e Tiranës, në eliminatoret e kupës së kampionëve të Europës. Hija e Gimit qe shtypëse për këdo që luante në kampionatin e basketbollit, po sidomos për Benin, i cili ishte i dënuar të krahasohej gjithnjë me të vëllain e paarritshëm. Një dëmtim në gju e shpëtoi në njëfarë mënyre nga presioni i atij krahasimi, duke e nxjerrë nga fusha dhe duke e çuar drejt stolit të trainerit, në anën tjetër të frontit të luftës me tiraninë e Partizanit, në kohën kur fronin e kishte trashëguar nga Gim Fagu, një uzurpator i të katër anëve të fushës, Gaz Çaçi! Ben Fagu solli tek Dinamo të gjithë fuqinë e ambicies, vullnetit dhe ndershmërisë që i kishte bërë vëllezërit Fagu, djemtë e të mirënjohurit për lartësinë burrërore, Besim Fagu, shembëlltyra të dinjitetit e të respektit në bashkësinë sportive e sportdashëse të Shqipërisë. Beni solli në skuadër entuziazëm dhe dëshirë të madhe për ta përmbysur më në fund diktaturën e Partizanit – çka nuk arritëm ta realizonim edhe pse i shkuam shumë afër. Stërvitjet u bënë shumë intensive dhe marrëdhëniet në skuadër shumë të mira, falë edhe qasjes së Benit, që nxehej shpesh brenda perimetrit të fushës, po çelej e bëhej një shok i dashur sapo binte bilbili i përfundimit të stërvitjes”.
Meta: Vdekja e Fagut, humbje e pazëvendësueshme për sportin
Edhe Presidenti Ilir Meta ka reaguar për këtë ndarje të parahshme nga jeta të sportistit të njohur.
Humbje të madhe për sportin e konsideron ai vdekjen e Arben Fagut dhe i shpreh ngushëllime familjes, kolegëve dhe nxënësve të tij.
“Ndarja e parakohshme nga jeta e Profesor Arben Fagut është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për sportin shqiptar, veçanërisht për basketbollin, që i përkushtoi të gjitha energjitë e tij. Lojtar virtuoz i “Dinamos”, “Partizanit” dhe i Ekipit Kombëtar, i dalluar për shpirtin e garës, forcën e karakterit dhe nivelin e lartë sportiv, Profesor Fagu spikati edhe si trajner i përkushtuar e pasionant, duke merituar vlerësimet dhe duartrokitjet e sportdashësve. Të gjithë ne, të cilët e njohëm nga afër, humbëm një mik të sinqertë, ndërsa sporti një personalitet të pakrahasueshëm. Ngushëllimet më të ndjera për familjen e dashur Fagu, kolegët dhe të gjithë nxënësit e tij. Të prehet në paqen e merituar dhe kujtimi i tij të jetë gjithmonë i paharruar! Lamtumirë Kampion”. /tvklan.al