BB nga Shkupi konfirmon projektin për HEC-in e Lukovës


BB nga Shkupi konfirmon projektin për HEC-in e Lukovës

22:17 23/01/2014 radika projekti“Nuk ka projekt për Radikën”, kjo ishte deklarata e kryeministrit Rama në seancën e ditës së enjte e Kuvendit, por zyrtarë të Bankës Botërore në Shkup i kanë konfirmuar “Zërit të Amerikës” se, me kërkesë të qeverisë së Maqedonisë, ky institucion po punon për projektin energjetik të “Fushë Lukovës”.

Sipas këtyre zyrtarëve, ky projekt synon përmirësimin e punës së hidrocentraleve ekzistuese dhe ndërtimin e një vepre të re, ndërkohë që projekti për vlerësim është paraqitur që në vitin 2011.

Zyra e Bankës Botërore në Shkup ka thënë, po ashtu, se sasia e ujrave që parashikohet të devijohen do të jetë më e vogël se 2 metra kub për sekondë, që sipas burimeve të këtij institucioni është më e ulët nga sa parashikon marrëveshja për administrimin e ujrave midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Në bazë të rregullave të Bankës Botërore, një projekt që parashikon devijim të ujrave dhe që prek vendet fqinje, si në këtë rast: Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë, duhet të marrë më parë miratimin e tyre për t’u realizuar. Ndërkaq, ekzistencën e këtij projekti e ka konfirmuar, gjithashtu për “Zërin e Amerikës” në një intervistë të martën edhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini.





Të ngjashme