BE thirrje Kosovës: Tërhiquni nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale
Bashkimi Europian i kërkon deputetëve të shumicës qeverisëse në Kosovë, të tërhiqen nga nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Përmes një deklarate për shtyp të zyrës së përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Europian në Kosovë paralajmërohet se miratimi i kësaj nisme dëmton drejtpërdrejtë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Brukselit.
“Çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara e dëmton seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikojë punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës për sundimin e ligjit të bërë viteve të fundit. Kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në”.
Nisma ka alarmuar partnerët perëndimorë të Kosovës. Gjermania dhe Franca dërguan këtë javë dy përfaqësues nga ministritë e tyre të jashtme. Ata nuk bënë asnjë deklaratë për mediat, por vizita vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane janë angazhuar për të bindur Kosovën të mos e shfuqizojë Gjykatën Speciale. Shtetet e Bashkuara e konsideruan këtë nismë si thikë pas shpinë për ta.
Pr/ligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ende nuk është tërhequr nga parlamenti pas dështimit për mungesë të numrave të nevojshëm gjatë votimit të 22 dhjetorit 2017 në Kuvendin e Kosovës. Nisma është ndërmarrë nga 43 deputetë të Kosovës, të cilët thonë se gjykata e miratuar në 2015-ën dëmton imazhin e UÇK-së si forcë që luftoi për lirinë e Kosovës.
Tv Klan