Bebe Rexha nuk mban dot lotët në programin “Rudina”: Unë kam gjak shqiptari
“Zemra ime u thye, nuk mund ta besoja”
Tërmeti i 26 Nëntorit tronditi Shqipërinë dhe shkaktoi 51 viktima, shumë të lënduar dhe mjaft dëme dhe probleme në ndërtesa. Sensibilizimi dhe ndihma ka qenë e madhe nga personazhet e njohur brenda dhe jashtë vendit.
Një prej këngëtareve që ka ofruar një mbështetje të madhe është padyshim Bebe Rexha. Pas tërmetit, Bebe në rrjetet e saj sociale u shpreh se do vinte në Shqipëri për të vizituar nga afër vendet e prekura dhe njëkohësisht të sigurohej që ndihma që ajo do jepte të shkonte në vendin e duhur.
Bebe këtë pasdite ka ardhur në Shqipëri dhe ka parë nga afër atë që tërmeti ka shkaktuar në Bubq. Krenare për vendin e saj të lindjes, këngëtarja me famë botërore, u shpreh se është e bekuar që është shqiptare. Bebe do të ndërtojë dy shtëpi për dy familje, një në Bubq dhe tjetra në Ishëm. Ajo gjithashtu lumturoi vogëlushët sepse kishte sjellë për ta shumë ëmbëlsira.
Por, këngëtarja ka realizuar një lidhje të drejtpërdrejtë përmes Skype, në emisionin “Rudina“ në Tv Klan, ku e përlotur dhe e emocionuar ka treguar:
“Pasi dëgjova për tërmetin vendosa të vij në Shqipëri dhe të shikoja nga afër çfarë po ndodhte në vendin tonë. Kur dëgjova për herë të parë çfarë kishte ndodhur zemra ime u thye, nuk mund ta besoja. Dëgjova për viktimat, dëmet e mëdha, nuk e besoja dot. Kam ardhur që t’u ofroj ndihmën dhe mbështetjen time personave të prekur nga tërmeti. Doja ta shikoja nga afër çfarë po ndodhte me njerëzit e mi, çfarë ata po kalonin. Por gjithashtu dua t’ju bëj thirrje të gjithëve që të kontribuojnë për të ndihmuar më shumë familje në nevojë, për të ndërtuar më shumë shtëpi, për të qenë të gjithë bashkë në këtë moment të vështirë. Jemi të gjithë djemtë dhe vajzat e Nënë Terezës, dhe unë besoj se jemi të gjithë të mirë, bujarë. S’ka rëndësi nga vimë, çfarë bëjmë e rëndësishme është të japim kontributin tonë“.
Bebe krijoi një llogari për të grumbulluar ndihma dhe donte të sigurohej që ndihmat dhe të ardhurat do shkonin në vendin e duhur, tek personat që vërtet kishin nevojë dhe prandaj kjo ishte një tjetër arsye që ajo të vizitonte nga afër vendin tonë.
“Ndihem shumë e emocionuar dhe do doja të bëja më shumë për këta njerëz, por po bëj më të mirën që mundem. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë dhe të bëjmë më të mirën që mundemi. Dua të falenderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar, forcat që kanë ardhur nga Kosova apo vende të tjera, ata që kanë sjellë ushqime, veshje, është e pabesueshme. Nuk ka rëndësi ku do më çojë jeta, unë kam gjak shqiptari dhe asnjëherë nuk do ta harroj nga vij dhe kush jam”.
Në fund Bebe Rexha thotë në gjuhën shqipe: Zoti e bekoftë Shqipërinë. Të dua Shqipëri. /tvklan.al