“Bella ciao” në xhami
Autoritetet turke nisin hetimet
Sot mund ta dëgjosh kudo këngën e famshme antifashiste të partizanëve italianë “Bella Ciao” e rikthyer në vëmendje nga seriali i famshëm i Netflixit “La casa de papel”. Por banorëve të Smirnes në Turqi i tingëlloi shumë çuditshëm, kur muzika u erdhi nga megafonët e kësaj xhamie, për më tepër në ditët e fundit të muajit të Ramazanit.
Varianti që u dëgjua nga minaret e kësaj xhamie ishte kënduar nga “Grup Jorum”, një grup muzikor i shquar në Turqi për tekstet me përmbajtje politike, kryesisht opozitare me partinë e presidentit Erdogan, me famë deri tek rebelët kurdë në Siri.
Kënga u dëgjua për disa sekonda. Të habitur, banorët e zonës publikuan xhirime të atyre momenteve në rrjetet sociale.
Gabim, provokim apo bojkotim, kjo mbetet për t’u përcaktuar nga hetimi që kanë nisur autoritetet lokale. Zyrtarët e qeverisë thanë përgjegjësit do të ndëshkohen rëndë. Qyteti i Smirnes shquhet për laicizmin dhe prej kohësh drejtohet nga republikanët në opozitë.
Tv Klan