Ben Blushi drejt krijimit të një partie të re
Deputeti Ben Blushi duket se po shkon drejt një partie të re, e cila mund të shpallet brenda muajit Nëntor. Pa u mbushur një javë nga letra e hapur, ku lajmëroi largimin nga Partia Socialiste, Blushi ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura, me simpatizantë dhe mbështetës të tij.
Takimi nisi në orën 18:00 në një nga sallat e Muzeut Historik dhe gazetarët janë shmangur në të gjitha mënyrat. Televizioni Klan ka mësuar se takimi është çelur nga deputetja Mimoza Hafizi, edhe kjo tashmë e larguar nga socialistët.
Ajo u ka shpjeguar rreth 200 pjesëmarrësve, kryesisht të rinj, të gjithë strukturën dhe se si do të ngrihet, funksionojë apo financohet kjo forcë e re politike, duke nënvizuar nëse ajo do të arrihet të finalizohet.
Vetë Blushi, thanë burimet brenda takimit, ka mbajtur një fjalim të shkurtër, ku ka kërkuar mbështetje për këtë lëvizje, që sipas tij, synon të bëhet opozita e vërtetë e qeverisë, duke specifikuar që nuk do të jetë as parti e majtë dhe aq më pak e ekstremit të majtë.
Deputeti i Elbasanit ka renditur, sipas tij, disa dështime të qeverisë, duke u ndalur tek ligji i importit të mbetjeve, që duket se ishte dhe arsyeja përfundimtare, që e bëri Blushin të lerë selinë rozë.
Mësohet se ai ka thënë se brenda disa javësh do të vendoset fati i kësaj force, që s’do të jetë një parti më shumë në listën e gjatë të partive që vegjetojnë në Shqipëri, por një zë shumë i fortë kundër korrupsionit qeveritar.
Në fund të takimit që zgjati rreth 2 orë e 30 minuta Blushi i shmangu sërish gazetarët ndërsa Hafizi tha se ishte një takim mes miqsh.
Dy emra që ranë në sy mes pjesëmarrësve ishin shkrimtari Xhevair Spahiu dhe tenori Agim Hushi.
Tv Klan