Berat aksioni i grumbullimit të armëve – (2 Shkurt 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Ka më se një muaj që vijon aksioni në prefekturën e Beratit për grumbullimin e armëve. Ky aksion ka përfshirë rreth 12 fshatra të kësaj zone. 900 armë si automatik, pushkë, mitraloz, 1200 granata dhe rreth pesë milion fishek, ka qenë bilanci i forcave të policisë së Beratit gjatë aksionit të çarmatimit. Në këto fshatra dorëzimi i armëve është bërë në mënyrë vullnetare, ku kryefamiljari pas dorëzimit firmos një deklaratë. Në këtë deklaratë ai pohon se nuk disponon më armë në banesën e tij. Përveç dorëzimit vullnetarë ka pasur edhe raste të kontrollit të banesave nga forcat e policisë për sekuestrimin e armëve.
Gjatë vitit ’97 janë vjedhur nga depot e armatimeve rreth 1.5 miliardë fishekë dhe rreth 600 mijë pushkë dhe automatikë. Deri tani janë grumbulluar vetëm 18% e gjithë kësaj sasie të vjedhur në ’97. Vetëm 2% e armëve dhe municioneve është mbledhur pas miratimit të ligjit për çarmatimin në parlament. Ligji për grumbullimin e armëve dhe municioneve është miratuar nga parlamenti në gusht të vitit ’98 dhe përfundon në gusht të këtij viti. Nesër në parlament pritet të shqyrtohen edhe disa shtesa të këtij ligji, kërkuar nga komisioni qëndror për grumbullimin e armëve./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti