Berat, plagoset pronari i servisit (16 Shtator 1999)


Berat, plagoset pronari i servisit (16 Shtator 1999)

12:18 16/09/1999

Kontrollet e shpeshta dhe postblloqet e shumta të policisë në hyrje dalje të Beratit, sipas Drejtorit të Policisë së Prefekturës Hasan Ahmetaj do të vazhdojnë derisa gjithçka të sqarohet. Gjithçka ka nisur mbrëmë vonë pas një grindje të katër të rinjve me një pronar servisi në qendër të Beratit.

Të rinjtë mes të cilëve dhe djali i deputetit Maksim Hasani, 20 vjeçari Valter Hasani i kanë kërkuar mekanikut të rregullojë makinën. Por ky i fundit i ka shpjeguar se difekti nuk mund të rregullohej në atë orë të vonë por u ka thënë të vijnë të nesërmen në mëngjes. Në këtë moment plas sherri. Pronari Petrit Dobrovniku futet në dyqan dhe merr çiften e tij të cilën e ka me leje, për të frikësuar të rinjtë.

Në këto momente një nga të rinjtë nxjerr nga brezi pistoletën dhe qëllon mbi pronarin i cili plagoset në shpretkë. Sipas Ahmetajt i riu i cili qëlloi dhe shokët e tij largohen. Policia dërgon pronarin në spital dhe vihet në kërkim të të rinjve.

Arrestohen dy prej tyre ndërsa Valter Hasani dorëzohet në Komisariat nga i ati. Sipas Ahmetajt i riu që plagosi pronarin nuk është i biri i deputetit por një shok i tij i cili nuk është kapur akoma dhe është në kërkim./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme