15:12 13/05/2014Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror se ka djegur të gjithë dokumentacionin përmes të cilit ai tha se faktohen lidhjet mes trafikantëve të drogës dhe qeverisë. Në një bashkëbisedim me gazetarët Berisha bëri përgjegjës të drejtpërdrejtë të këtij akti kryeministrin Edi Rama.Akuzat për vënie në dispozicion të qeverisë në trafikun e drogës Berisha tha se i mbështet në historikun e lidhjeve të kryeministrit Rama me bandat kriminale që sipas tij e sollën atë në pushtet pas 23 qershorit.Sali Berisha: “Qeveria i ka vënë trafikantëve në dispozicion porte, aeroporte, territore të vendit. Trafiku nga Shqipëria drejt fqinjëve tanë është 3 ose 4 fishuar sipas rastit. Pse unë flas për qeveri droge. Sepse këta kanë historikun e tyre të qartë në lidhje me drogën. Edi Rama erdhi në pushtet pas bashkëpunimit të ngushtë me shumë se çdo politikan tjetër me bandat më të rrezikshme nga ajo e rrugës së Kavajës tek e Lushnjes, Hakmarrja për Drejtësi e ajo e Dritan Dajtit.” Ish kryeministri nuk kurseu akuzat as në adresë të dy gjeneralëve Lleshi e Bashe, për të cilët tha se kanë mashtruar shqiptarët duke fshehur trafikun e drogës që bëhej përmes ajrit. Ndaj dhe i kërkoi Presidentit të Republikës të ndërhyjë në këtë situatë.Sali Berisha: “Gjeneralët në vend të shqyrtimit të akuzave të opozitës dolën me komunikata kundër opozitës, përdorën NATO-n për të gënjyer shqiptarët për të mbrojtur trafikun në Gjadër. Gjeneral Lleshi dhe Baze shkuan deri aty sa mashtruan shqiptarët se NATO na ka garantuar se nuk ka aeroplan Renegat. NATO garanton hapësirën mbi 3 mijë metra, nën 3 mijë metra vendi mund të mbrohet vetë. Aleatët nuk të japin garanci për fluturimet e ulëta. Këta dy gjeneralë mashtruan shqiptarët për trafik droge. Nuk është fjala këtu për ndrikullën Kodheli ajo është në krah të Ramës. I kërkoj Presidentit të mbajë qëndrimin e tij për këta dy gjeneralë që na nxënë yjet që mbajnë mbi spaleta.”Për Berishën qeveria Rama meta po bën gjithçka për të maskuar lidhjet e saj me trafikun e drogës, por pas vënies në shërbim të hapësirës ajrore, Berisha paralajmëroi një tjetër skenar, atë detar.Për t’i thënë ndal asaj që ai e cilësoi qeveri e drogës, ish kryeministri ftoi qytetarët që të bashkohen në protestën paqësore të së enjtes, për të rrëzuar me mjet demokratik kryeministrin Rama, për të cilin u shpreh i bindur se nuk ka ndërmend të dorëhiqet edhe pas rastit të Divjakës.Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët ish-kryeminstri Berisha foli edhe për statusin e vendit kandidat për të cilin tha se Shqipëria nuk mund ta humbë serish për faj të Edi Ramës. Sipas tij qershori duhet të jetë muaji kur njëzëri unioni duhet t’i thotë po Shqipërisë.Tv Klan