Berisha, banorëve të Dajçit: Largoni gra e fëmijë


Berisha, banorëve të Dajçit: Largoni gra e fëmijë

22:11 05/01/2010

Deklarata e kryetarit të qeverisë Sali Berisha në Komunën Dajç është apel i fortë për banorët e kësaj zone në rrezik, por dhe gjithë zonave të përmbytura të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi asgjë nuk është më e rëndësishme sesa jeta. 

Kryeminsitri tha se qeveria është angazhuar fortë për të menaxhuar të gjithë situatën. Por ajo çfarë nuk duket shumë premtuese dhe që ka rritur ndjeshëm tonet e deklaratave janë të dhënat sinoptike. Kryeministri foli për një mot të pafavorshëm me plot 10 ditë reshje të dendura shiu.

Kryeministri është ndalur në shumë zona në veri të vendit gjatë një turi inspektimesh për pasojat e përmbytjeve. Kryetari i qeverise ishte dhe në Lezhë për të inspektuar argjinaturën e lumit Mat. 

Berisha e konsideroi këtë zonë të sigurt nga përmbytjet, por kërkoi përqëndrim të vëmendjes në zonat e Fushë Kuqes dhe Tales. Ndërtimi i argjinaturës i ka kushtuar buxhetit të shtetit një milion Dollarë.  Ajo është 1.1 km e gjatë në të dyja anët e lumit Mat, duk garantuar siguri për zonat e banuara përreth.  

Edhe në Lezhë kryeministri përsëriti apelin ndaj banorëve të zonave në rrezik të largohen nga shtëpitë e tyre. Kryeministri i dha përgjigje dhe akuzave të opozitës për keqmenaxhim të situatës nga qeveria. 

Berisha tha se sipas informacioneve që i janë vënë në dispozicion në muajin Dhjetor, uji në kaskadën e Komanit  është mbajtur në nivele  të ultëa, po kështu dhe në Vaun e Dejës, duke bërë një depozitim të ujit në Fierzë.

Kryesminitri garantoi dhe një herë banorët për gatishmërinë e qeverisë për përballimin e kësaj situate me një rritje të ndjeshme të masave për këtë qëllim.

Tv Klan






Të ngjashme