Berisha: Basha me Ramën në Lubjanë si pengu me pengmarrësin


Berisha: Basha me Ramën në Lubjanë si pengu me pengmarrësin

00:03 07/10/2021

Akuza Kryeministrit: Je i pashpirt, boshatiset kaskadën e Drinit

Nga ‘Foltorja’ e Gjirokastrës, ish-Kryeministri Sali Berisha hodhi sërish akuza për bashkëpunim në adresë të Lulzim Bashës dhe Kryeministrit Edi Rama.

“Duke ardhur për Gjirokastër në mëngjes, shoh titujt e gazetave Rama-Basha në Lubjanë, Berisha në Gjirokastër. U ndjeva 1000 herë i lehtësuar. Ata shkojnë si pengu me pengmarrësin, unë vij si njeri i lirë tek ju. Kënaqësi e madhe ishte kjo.”

Demokratët i ftoi të firmosin për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, teksa atë që tashmë e cilëson ish-kryetar e akuzoi se do të mbahet mend si njeriu që ka frikë nga vota e lirë.

“Basha ka tmerr nga vota, ai në historinë e Shqipërisë do mbahet mend si njeri që ka frikë me votën, por ne jemi njerëz që i besojmë votës së lirë. Që në këtë moment s’ke të bësh me ne. Ftoj të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar, të firmosni për mbledhjen e Kuvendit. Si të doni votoni në Kuvend, por firma juaj është ndërgjegja juaj për një PD që respekton votën e lirë.”

Për ta bërë sa më demokratike dhe të lirë partinë që themeloi vetë tre dekada më parë, Berisha premtoi ndryshime statutore, mes të cilave edhe atë të primareve për kandidatin për kryeministër.

“Ne do të vendosim që edhe kryeministri, për t’u bërë kryeministër, duhet të votohet në primare. A e dini ju që kjo parti, kryeministrin e parë e ka përzgjedhur në votim me dy kandidatura në Këshillin Kombëtar? Po. Ne do e bëjmë më demokratike. Ne do bëjmë gjithçka, që kryetari që humbet zgjedhjet e përgjithshme të mos jetë kryetar.”

Jo pak akuza lëshoi edhe në adresë të kryeministrit Rama kur u ndal në paralajmërimin për krizë energjetike.

“Shikoni ca spekulanti i pashpirt që është. Është rritur çmimi i gazit, por çfarë gazifikimi kemi ne në Shqipëri? Sa energji elektrike prodhojmë nga gazi ne? Zero. Kjo është krizë e krijuar vetë, nuk është krizë e gazit në Shqipëri, është krizë e Edi Ramës, e ministres së papërgjegjshme. Boshatisën kaskadën. Nafta në Shqipëri është cent për cent baraz me Zvicrën. Pse do rritet nafta? Je ti i përzier në këto afera. Unë nuk godas lirinë e tregut, por godasë spekulimet.”

Në këtë betejë Sali Berisha tha se demokratët duhet të bëhen bashkë jo vetëm për të vendosur sovranitetin në parti, por për të larguar një orë e më parë Kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij, që sipas tij kanë shënuar rekordet më të zeza që nga koha e diktaturës.

Tv Klan






Të ngjashme