Berisha qeverisë: Mos largoni FMN -në, borxhi në nivelin 74%


Berisha qeverisë: Mos largoni FMN -në, borxhi në nivelin 74%

15:25 03/11/2016 https://youtu.be/uItzNDzNCrQ

Ish – Kryeministri Sali Berisha, i kërkoi qeverisë të mos e ndërpresë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që përfundon në muajin Shkurt. Arsyeja, tha Berisha është rritja e borxhit në nivelin mbi 70%, shifër kjo që u kundërshtua nga Ministri i Financave.

Me Ministrin Ahmetaj, ish – Kryeministri replikoi edhe për rritjen e pagave në buxhetin e vitit të ardhshëm. Edhe në këtë zë të buxhetit shifrat i kishin të ndryshme.

Ndryshe nga Ministri Ahmetaj, që foli për rritje të investimeve, ish – Kryeministri Berisha foli për dështime të qeverisë.

Jashtë akuzave Berisha nuk la as turin e Kryeministrit Rama me fermerët.

Replika shkëmbeu edhe me Deputetin Pandeli Majko. Kësaj rradhe jo për shifrat apo reformat e qeverisë, por për largimin e Ben Blushit nga Partia Socialiste. 

///

Berisha: Borxhi publik është rritur, qeveria vijon me mashtrimet

Ish-Kryeministri Sali Berisha edhe gjatë seancës së sotme plenare nuk i ka kursyer kritikat e tij për qeverinë Rama, duke u ndalur tek largimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shkurt.

Sipas tij, FMN nuk mund të largohet për sa kohë borxhi është mbi 70 për qind.

“Tani na thotë në Shkurt do të vendosim për Fondin. Nuk vendos vetëm ti, nuk vendos qeveria. Qëndrimi apo jo i Fondit duhet të jetë një gjë e përcaktuar nga kriteret dhe jo nga vullnetet. Me borxh mbi 70% fondi nuk mund të largohet për asnjë mënyrë. Ke mashtruar Fondin në mënyrë monstruoze. Morët borxh verbërisht, vetëm për t’u kapardisur ai tjetri që shet injorancë nga mëngjesi në darkë për të thënë që prura buxhetin më të madh në histori”

 tha Berisha.

Edhe ajo që është cilësuar si rritje rrogash, sipas ish-kryeministrit është vetëm mashtrim, ndërsa tha se nuk mund të vijë në parlament ai që regjistron çdo ditë nga një dështim, duke nënkuptuar Kryeministrin Rama.

“Ajo që u quajt rritje rrogash nuk është as indeksim. Sipas njoftimit të fundit, nuk janë 100 milionë dollarë zotëri, po 64 milionë dollarë. U keni shkatërrruar çdo gjë. Këshilli i Ministrave sot ka në bordero 530 vetë punonjës nga 128 që kishte në vitin 2013. Nuk vjen në Parlament ai se regjistron çdo ditë nga një dështim”,

tha Berisha./tvklan.al






Të ngjashme