
Berisha denoncon një “superskandal”
Në një mesazh të qytetarit dixhital, dërguar ish-Kryeministrit Sali Berisha thuhet se Kostandin Xhuvani është liruar nga burgu. Djali i ish-deputetes së PS Luiza Xhuvani, vuan dënimin me 35 vjet burg për vrasje të katërfishtë, ngjarje e ndodhur në 2014-ën.
Por në mesazhin në fjalë pretendohet se, pasi iu nënshtrua një operacioni në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, Xhuvani nuk është kthyer më në burg. Teksa poston këtë mesazh, ish-Kryeministri Berisha e konsideron këtë ngjarje një superskandal.
“Rama liron nga burgu vrasësin e dashur serial të organizatës kriminale “Rilindja”, Kostandin Xhuvani. Motivi: Kosta ka vrarë 5 të rinj, por është xhani i partisë!”,
shkruan Berisha, ndërsa bashkangjitur sjell edhe mesazhin e qytetarit dixhital:
“Përshëndetje Dr. Kostandin Xhuvani, vrasësi i 5 të rinjve nuk është më në burg. Para dy javësh, Kosta ka qenë në QSUT, është bërë operim nga doktori për apendisitin dhe në dallim nga të burgosurit e tjerë që trajtohen në spital, apo që edhe vdesin pa kurrfarë ndihme, atë, me urdhër nga Rama e kanë marrë familjarët brenda ditës nga spitali, është operuar natën dhe e kanë marrë direkt familjarët. S’është regjistruar fare në regjistrat e spitalit të burgut dhe nuk është në burg, me ndërhyrje nga vetë Rama është liruar nga burgu, nën pretekstin e operacionit”.
Por në një reagim të Drejtorisë së Burgjeve thuhet se kjo është totalisht e pavërtetë. Në deklaratë sqarohet se Xhuvani ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në QSUT, i shoqëruar nga punonjësit e policisë së Burgjeve dhe menjëherë pas kësaj ai është transferuar sërish në spitalin e burgut.
“Më datën 30.10.2018 Kostandin Xhuvani është hospitalizuar ne IVSHB (Spitali i Burgut) për disa probleme shëndetësorë, me diagnozë Nodus hemoroidal, me kartelë klinike 407. Në momentin e pranimit në Spital, pacienti paraqitej i zbehtë, ankonte për këputje trupore dhe dhimbje rektale. Menjëherë janë realizuar ekzaminimet dhe konsulta mjekësore me mjekun specialist proktolog të “ QSUT Nënë Tereza”, ku ka rezultuar me: – Anemi(Hb 8mg/dl) – Prolaps hemoroidal. Në këto kushte, mjeku specialist ka kërkuar ekzaminimin mjekësor sigmoidoskopi. Në datën 04.11.2018, është realizuar ky ekzaminim dhe konsulta me mjekun specialist, ku është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale. Në datën 05.11.2018 është realizuar ndërhyrja kirurgjikale në QSUT “Nënë Tereza”, i shoqëruar dhe nën mbikëqyrjen e Forcave Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Po në këtë datë, pas përfundimit të operacionit, pacienti Konstandin Xhuvani është rikthyer në IVSHB (Spitali i Burgut) për trajtim të mëtejshëm sipas rekomandimeve të mjekëve specialistë të QSUT “Nënë Tereza”.
Në ditët në vijim është konsultuar me mjekët specialistë (mjekun hematolog për problemin e anemisë) dhe është trajtuar në IVSHB (Spitali i Burgut) sipas rekomandimeve të tyre. Aktualisht, ky i dënuar është i hospitalizuar në IVSHB (Spitali i Burgut), dhe me përmirësimin e gjendjes shëndetësore do të bëhet dalje nga IVSHB (Spitali i Burgut) drejt IEVP Fushe Krujë”,
thuhet ndër deklaratën e Drejtorisë së Burgjeve. /tvklan.al