Berisha dhe Arbër Xhaferri – (16 Shkurt 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Kosova duhet të fitojë Pavarësinë, ky ka qenë mendimi i përbashkët i liderit demokrat Berisha dhe homologut te tij për shqiptarët e Maqedonisë Arbër Xhaferri. Kosova theksoi Xhaferri në takimin e sotëm me liderët e PD, ishte pjesë përbërëse e Jugosllavisë dhe me shpërbërjen e saj ajo vetvetiu ka vituar të drejtën për vetëvendosje.
Por për të arritur këtë të drejtë të mohuar u theksua në takim duhen unifikuar qëndrimet e të gjithë shqiptarëve. Pas takimit Berisha e Xhaferri kanë shprehur qëndrimet e tyre para gazetareve.
Sali Berisha, kryetari i PD:- “Një komb një qëndrim do të jetë lejtmotivi themelor i partive tona. Ne kemi bindjen më të madhe se Pavarësia e Kosovës është rruga e zgjidhjes stabile e kthimit të stabilitetit në Rajon e të Ballkanit. Ne e konsiderojmë bashkërisht luftën çlirimtare të popullit të Kosovës si një luftë të mbarë popullit shqiptar dhe e konsideroj të domosdoshme angazhimin e të gjitha përpjekjeve të shqiptarëve në Shqipëri, Maqedoni, Mal te Zi, diasporë dhe kudo që ndodhen. Ramë dakort që të kemi takime periodike për të bashkërenduar më mirë të gjitha përpjekjet tona në mënyrë që shqiptarët mos e pyesin veten nesër se ç’bemë sot”.
Arbër Xhaferri:- “Shqiptarët jashtë shtetit amë kërkojnë një Shqipëri stabile, një Shqipëri që do të jetë një krah shumë i fortë për zgjidhjen e çështjeve tona reale kombëtare që kemi në Maqedoni dhe në Kosovë. Dhe unë shoh në të ardhmen një konsolidim të përgjithshëm të gjithë faktorëve në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri. Duhet të kuptojmë se jemi në një periudhë shumë të rëndësishme historike kur vendoset fati i popullit shqiptar per 100 vjetët e ardhshëm”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego