Berisha e Topalli: Qeveria e drogës ik!


Berisha e Topalli: Qeveria e drogës ik!

17:32 11/05/2014 berisha-ne-fb_4Ish -Kryeministri Berisha thotë se qeveria Rama duhet të ikë. Në një postim në Facebook ai shkruan se « Rama Ik » dhe « Qeveria e drogës ik » është thirrja që buron sot në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari që ka Shqipërinë për dheun e tij më të dashur e që do të jetojë në këtë vend në liri, dinjitet dhe siguri.

Kjo thirrje, sipas ish -kryeministrit buron nga fakti që sot në Shqipëri, si në asnje vend tjetër të lirë, malavita, baronët e drogës, kumbarët dhe ndrikullat e saj drejtojnë qeverinë dhe agjensitë e saj dhe kanë vendosur në dispozicion të trafikut të drogës aeroportet, portet dhe rrugët e vendit.

Ish –kreu i qeverisë thotë se në një hark të shkurtër kohor Shqipëria për drogën, tritolin, vrasjet është bërë një vend më i pasigurt se sa Afganistani.

Qytetarë dhe qytetare, Rama ik është sot detyrë e çdo shqiptari, e vajzave dhe djemve, nxënësve, studentëve, burrave dhe grave, qytetarëve të këtij vendi, të cilët nuk pranojnë që droga dhe krimi të gllabërojnë sigurinë, jetën, dinjitetin, lirinë dhe votën e tyre, - e mbyll komentin zoti Berisha.

Edhe ish –kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli shkruan se pas asaj që pamë dje, Shqipëria nuk është më e njëjta dhe kryeministri duhet të ikë.

Sipas zonjës Topalli, opozita duhet të udhëheqë protestat, të kërkojë seancë urgjente dhe mocion mosbesimi për qeverinë!

Opozita duhet të drejtojë qytetarët në luftën kundër Mafies, - shkruan ajo teksa thotë se, -kjo kërkon kurajo e sakrificë!

E djeshmja është vetëm një episod që vetëm para pak ditësh të paktë ishin ata që e imagjinonin, por realiteti është shumë më i rëndë, - e mbyll komentin e saj në Facebook zonja Topalli, duke ftuar qytetarët që të ngrihen.

Tv Klan





Të ngjashme