Berisha kërkon të shtyhen afatet e regjistrimit të votuesve – (5 Shtator 2000)


Berisha kërkon të shtyhen afatet e regjistrimit të votuesve – (5 Shtator 2000)

21:47 05/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka denoncuar Ministrinë e Pushtetit Lokal, për lënien jashtë listave të votuesve, të rreth 600 mijë zgjedhësve shqiptarë. Berisha kërkoi që të shtyhen afatet e regjistrimit të votuesve, pasi me këto lista false zgjedhje të ndershme s’mund të ketë.

Sali Berisha, kryetar i PD:- “Ne kërkojmë të shtyhen afatet për listat e zgjedhësve. Kërkojë me urgjencë rikonsiderimin e këtij problemi në mënyrën më serioze me lista false, me lista të falsifikuara, zgjedhje nuk mund të ketë. Unë paralajmëroj qeverinë shqiptare, paralajmëroj falsifikatorët se po prishin procesin zgjedhor, me aktet terroriste që organizoi në Peshkëpi, që i mohojnë dhe pastaj të poshtëruar i pranojnë. Të gjitha këto janë pra elementë të makinerisë së turpshme të manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Unë jam këtu për të paralajmëruar se opozita, se PD zgjedhjet nuk i bojkoton, por iu siguroj ju se skema jonë do të funksionojë. Gabojnë rëndë ata që mendojnë se do të çojnë shqiptarët në zgjedhje të manipuluara. Të gjithë pasojat do të bien tërësisht mbi ta”.

Kryetari Berisha dhe zëdhënësi i PD Edi Paloka, paraqitën para gazetarëve dokumente që dëshmojnë se vetëm në një qendër votimi në Tiranë, nga 450 zgjedhës gjithsej, janë lënë jashtë listave të votimit rreth 176 zgjedhës. Për këtë ata fajësuan ministrin e Pushtetit Lokal Bashkim Fino dhe bashkëpunëtorët e tij./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame  






Të ngjashme