Berisha: Meta e dha autorizimin konform vendimit të Kushtetueses
Pas dhënies së autorizimit nga ana e Presidentit për nisjen e negociatave për marrëveshjen e detit me Greqinë ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha. Përmes një postimi në Facebook, Berisha thotë se kreu i shtetit ishte i detyruar të jepte autorizimin, pasi kërkoi plotësimin e kushteve që vijnë si detyrim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Por Berisha akuzon Kryeministrin Rama dhe Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati se përmes kësaj marrëveshjeje, që ai e cilëson akt tradhtie, Greqisë i janë falur fushat më të mëdha të naftës dhe gazit në detin Jon e Mesdhe.
Berisha thotë se Rama e Bushati i kanë mbyllur negociatat me Greqinë, gjë sipas tij e cila është pohuar nga zyrtarët e lartë grekë dhe shtypi vendas.
Ish-Kryeministri i bën thirrje qytetarëve të ngrihen në mbrojtje të pasurive, integritetit territorial të kombit shqiptar dhe Shqipërisë, të shitura sipas tij, në një akt tradhtie të lartë kombëtarë, nga klika e neobllokmenëve.
Tv Klan