Berisha: “Vetingu”, nga ekspertë shqiptarë. Xhafaj: Ndërkombëtarët do të monitorojnë procesin
Konferenca e Kryetarëve e mbledhur para seancës plenare vendosi që drafti i reformës të futet në Kalendarin e punimeve javën e ardhshme. Ndërsa në seancë, reforma në drejtësi, solli serish debate. Ish-kryeministri Sali Berisha shprehu bindjen se qëllimi i mazhorancës është kapja e sistemit.
Sipas ish-kryeministrit procesi i verifikimit të gjyqtarëve të prokurorëve, që njihet si “Vetingu” duhet të bëhet nga ekspertët shqiptarë. Ai tha se është kryeministri ai që po e mban peng miratimin. Kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj u kundërpërgjigj duke thëne se opozita e ka bllokuar vazhdimisht këtë reformë.
Ai u përgjigj edhe për pretendimet në lidhje me paragrafin 88, të opinionit të Komisionit të Venecias dhe procesin e “vetingut”.
Një ditë më parë në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores, demokratët kërkuan që nisma kushtetuese të ecë në procedurën e përcaktuar nga neni 77 i rregullores së Kuvendit, ndërsa socialistët kërkuan që drafti të kalojë menjëherë në seancë, duke iu referuar precedentit për ligjin e dekriminalizimit. /TV KLAN