Berisha: Pas “Hakmarrjes për drejtësi” Rama do të lirojë Aldo Baren
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi të hënën Kryeministrin Edi Rama se ka liruar grupin “Hakmarrja për drejtësi” pas një marrëveshjeje elektorale që ata kanë nënshkruar në vitin 2013.
“Të dashur miq, Edvin Kristaq Rama, sot, në përputhje me një marrëveshje elektorale të vitit 2013 me grupin terrorist “Hakmarrja për Drejtësi”, shpalli te pafajshëm drejtuesit kryesor të grupit, vëllezërit Shyti, djemë të xhelatit te diktaturës komuniste Harejdin Shyti, i dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit nga gjykatat shqiptare.”
Ish-kryeministri tha se mbi këtë grup vrasësish rëndojnë aktet terroriste dhe dhjetra krime me monstruoze, listën e të cilave e keni këtu më poshtë.
Berisha tha se “pas këtij akti kriminal pritet qe kryebanditi Edvin Kristaq Rama të lirojë, në përputhje me detyrimin e tij, Aldo Baren dhe bandën e tij, për të plotësuar kështu radhët e banditeve që i mungojnë atij!”
Ish-kryeministri u bëri thirrje shqiptareve të bashkohen me shumë se kurrë, me atë që ai e quajti revolucion demokratik që nis me datë 18 Shkurt.
“Të shpëtojmë veten, fëmijët tanë shoqërinë dhe Shqipërinë nga sundimi i kryebanditit dhe bandave te tij!,” tha Berisha i cili renditi edhe 17 krimet e “Hakmarrjes për drejtësi”.
“29.01.1993 – Grabitet dega e valutës së Bankës së Kursimeve rreth 307 mijë dollarë
13.04.1993 Grabitet selia e shoqërisë “IAP”, ku vidhen rreth 53 mijë dollarë
15.12.1993 – Vritet tek “21 dhjetori” Sami Jata dhe nuk mund t’i vidhen lekët që transportonte
11.08.1994 – Shoqëria “Shkumbin Petrol” grabitet në mes të ditës, merret kasaforta dhe shpërthehet më vonë, ku i vodhën 2.6 milion lek të reja
12.10.1994 – Grabitet shoqëria “IAP”, merren 3.500 dollarë dhe plagoset roja, Eduard Trimi
13.12.1994 – Vidhet me pasojë vdekjen shtetasi Pal Prendi nga Vlora, punonjës i pikës së grumbullimit të parave të “Gjallicës”. Grabiten 2 arka me para. Shuma 3 milion lekë.
14.01.1995 – Grabitet argjendaria “Agron”, në vlerën 576.377 lekë të reja
20.01.1995 – Grabitet Banka e Kursimeve dega në Vlorë, në vlerën 2.6 milion lekë
21.01.1995 – Grabitet kompania e sigurimeve shoqërore “INSIG”, ku grabiten rreth 156 mijë lek të reja, me pasojë plagosjen e punonjësit të kësaj shoqërie
03.03.1995 – Grabitet Ndërmarrja e Lëndëve Djegëse në Tiranë “Butongas”, ku i vidhen rreth 430 mijë lek të reja
12.04.1995 – Vritet dhe më pas i merren lekët shtetasit Pirro Komini, që transportonte lekët e “VEFA”-s në banesën e tij, në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Vlera 18 milion e 500 mijë lekë i grabiten
15.06.1995 – Grabitet fabrika e sfungjerit “Albafon” në Laprak ku i vodhën rreth 940 mijë lek të reja
31.10.1995 – Rrëmbehet fëmija Erjon Nushi, prindërve u kërkohet 200 mijë dollarë, por lirohet 3 ditë më pas pa marr lekët e kërkuar
12.01.1996 – Grabitet filiali i shoqërisë “VEFA” në Vlorë, merren 145 mijë dollarë
18.04.1996 – Grabitet Banka Kombëtare Tregtare dega Vlorë, merren 2.2 milion lekë të reja
26.02.1996 – Vendosja e eksplozivit në super-marketin e kompanisë “VEFA” në Tiranë, vriten katër persona plagosen 17 të tjerë
26.07.1996 – Vritet ish-drejtori i burgjeve, Bujar Kaloshi në afërsi të shtëpisë së tij.”