Berisha për Bashën: I pabesë, sipas librave të shenjtë as nuk duhej të lindte!
Në qytetin e Elbasanit ish-kryeministri Sali Berisha ka pranuar para demokratëve se ka bërë gabimin më të madh që ai ka mbështetur Bashën për 8 vite me radhe dhe i kërkon falje të gjithëve.
Gjatë foltores me demokratët në Elbasan, Berisha u shpreh se Basha është i pabesë.
“Në fund ky shpall vendimin. Më merr në telefon 20 minuta para. Në këtë mes Sali Berisha, nëse mblidhte Këshillin Kombëtar dhe e votonte në Këshill Kombëtar unë do pranoja vendimin e Këshillit Kombëtar pa asnjë diskutim. Ky për të cilin e them edhe njëherë ungjilli thotë si ky nuk duhet të lindë, i pabesë e ka fjalën e dini vetë ju. Krishti thotë për Judën. Ky njeri pa pyetur njeri fare shkelmon sovranitetin e PD. Në një bisedë të mëparshme një forcë politike jo sovrane nuk meriton të ekzistojë. “E mora unë vendimin tim”. Si e more ti vendimin ti? Ka qenë një diktator në Amerikën e Jugut që e kam parë në ëndërr i thoshte popullit të vet, por çfarë jemi ne këtu? Kjo u bë shkas për të rivendosur në mënyrë të vendosur legjitimitetin në PD, dinjitetin tim dhe të PD-së si anëtar i saj”, tha Berisha.
Berisha tha se kryetari i PD-së është një njeri që sipas librave të shenjtë as nuk duhej të lindte.
“Kërkoj ndjesë para jush sërish sepse unë në këto 8 vite si njeri i betuar që nuk kthehem më ta themi të vërtetën, kam mbështetu publikisht një njeri që nuk po e marr në rrafshin njerëzor sepse po ta marrësh rrafshin njerëzor, një librat e shenjtë thuhet që njerëzit si ai as nuk duhej të lindnin, i pabesi është fjala. Por nuk e marr në këtë rrafsh fare. E marr në një qëndrim jashtëzakonisht të paimagjinueshëm ndaj vlerave që ne sollëm në Shqipëri. Që nga ’91-shi kemi sjellë votën e vërtetë, e lirë dhe sollëm liri, të drejtat njerëzore, interesin kombëtar. Kaq ishte partia liritë dhe të drejtat njerëzore, interesi kombëtar. Po nuk ishte pak kjo se po të shkojmë bashkë tani në vitin ’90, ku është çështja kombëtare dhe ku është sot, ne duhet të ndihemi të lumtur sepse Kosova është e lirë, shqiptarët janë në një situatë tjetër, mirë po për fatin e keq, partia filloi të bjerë shumë, pikërisht në këto dy shtylla kryesore të saj. Unë e kam mbështetur në mënyrë absolute duke i thënë atij privatisht gjithçka dhe unë i kam të dokumentuara ato.
Nuk jam spontan unë, nga mëngjesi në darkë, mendoj dhe atë që mendoj e skicoj dhe unë kam çdo gjë të dokumentuar se çfarë i kam thënë. Por publikisht e kam mbështetur fuqimisht me shpresën që të ecim drejt fitores, në një kohë që ai kishte një axhendë tjetër që të lartësohej vetë. Po nuk lartësohesh vetë në qoftë se kryen akte, siç kreu ai në 2017. Gabimi im më i madh në 2017 është se unë duhet të kisha ndërmarrë këtë projekt që kam marrë tani dhe ju siguroj që do ishim në pushtet dhe se Shqipëria do i kishte hapur negociatat, por kjo nuk ndodhi për çka unë kam përgjegjësi. Ju garantoj se unë do bëj gjithçka që të rikthejmë vlerat dhe që demokratët të zgjedhin atë që duan”, është shprehur Berisha. /tvklan.al