Berisha: Rama me kokë në tepsi, hapja e negociatave meritë e opozitës
Ish – Kryeministri Sali Berisha, fjalën e tij e nisi duke shprehur solidaritetin për të gjithë shqiptarët e prekur nga përmbytjetet.
“Mendja zemra dhe shqetësimi është sot te dhjetëra mijëra burra dhe gra që po përjetojnë ditë të vështira. Shumë banorë kanë mbetur të bllokuar”.
Më tej, fjalimin e mbajtur përpara tij nga Kryeministri Rama, Berisha e konsideroi si dëshminë më flagrante se sot ky vend nuk ka qeveri dhe se është fjalimi i Ramës me kokë në tepsi. Ish – Kryeministri tha se hapja e negociatave është meritë e Partisë Demokratike.
“Ai foli me kokë në tepsi dhe unë e kuptova hallin e tij. E ka kokën në tepsi para së gjithash nga ky raport i cili në çdo rresht në çdo fjalë, në çdo presje thotë se me ty nuk ka negociata, se këto negociata janë hapur nga Partia Demokratike.
Shpreh keqardhje që nuk vendosi hapjen pa kushte të negociatave, sepse hapja pa kushte ishte kërkesë e jona, sepse ishte absolutisht zotimi i forcës sonë politike për të trajtuar në mënyrën më serioze. Pasi dihet që shqiptarët po presin me padurim të lajnë duart nga kjo qeveri që është bërë simbol i korrupsionit, krimit.
Ai lexon mashtrimet e veta. Kancelarja e Gjermanisë në krah të tij para shqiptarëve tha se negociatat do të hapen pasi të votoni, por jo vetëm të votoni, por edhe të zbatoni reformen në mënyrën më serioze. Kancelarja e tha qartë.
Unë shpreh dhimbje që komisioni nuk bëri hapjen e menjëherëshme.
Është e qartë si drita e diellit se kjo është meritë e opozitës e cila votoi reformën. Opozita ka bërë dhe do të bëjë gjithçka.
Berisha foli edhe për komentet e kryeministrit ndaj Trump dhe për afrimin e tij me Beogradin, që sipas ish – Kryeministrit bëhet në dëm të Kosovës. Berisha e akuzoi qeverinë se i ka futur thikën Kosovës dhe interesit kombëtar.
“Fushatat elektorale janë të hapura dhe çdo njeri ka mendimet e veta, por ndërhyrja në mediat e huaja që ky as me sy nuk i sheh, po të mos ia ofrojë korrupsioni politik, është një akt shumë i rëndë.
Mediat serbe për hir të vërtetës e shkruajnë se është bërë gabim i madh për kosovën. Kur mediat serbe e përsëriten për së dyti e përgënjeshtroi në mënyrë kategorike.
Për Kosovën unë ia kisha bërë të qartë serbëve, do bisedoni me udhëheqësit e Kosovës. Nëse ti nënshkruan
marrëveshje me Serbinë që përfshin edhe Kosovën pa palën kosovare, atëherë kjo do të thotë se Tirana dhe Beogradi e mbajnë veten si padronë të Prishtinës. Ne do nisim rezolutën kundër kësaj marrëveshjeje. Ju e bëtë këtë për interes të një pale të tretë, sepse s’keni interes kombëtar. Ju i futët thikën Kosovës dhe interesit kombëtar. Njerëz që s’kanë interes kombëtar, për para dhe të një pale të tretë i futën thikë interesit kombëtar.
Jam Sali Berisha unë o budallenj, nuk tërhiqem unë, o çakenj, jam Sali Berisha unë. E di si më dukeni ju mua? Plehra! Unë vij për parlamentin këtu! Ju më dukeni plehra! Para interesit kombëtar nuk njoh asgjë tjetër unë, nuk më bëjnë të tërhiqem unë”.
Në kundërpërgjigje të deklaratave të ish – Kryeministrit Sali Berisha, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati theksoi se është kjo qeveri do t’i hapë negociatat me Bashkimin Europian. Bushati deklaroi se opozita është e vetmja në botë që mendon se mund të fitojë me humbje.
“Jeni e vetmja opozitë që zyrtarisht keni kërkuar të mos hapen negociatat. Keni bërë një gabim të madh zotërinj. duhet të ulemi së bashku dhe të implementojmë ligjin e Vettingut. Do të kisha preferuar që goditjet që i ka poshtë brezit për secilin prej nesh të mos i transferojë në çështje që kanë të bëjnë me shtetin. Mor zotëri, a do t’i nxjerrim nga retorika dhe diskursi jonë partnerët e huaj apo jo? Sot fol për raportin dhe kij kurajën që siç godet poshtë brezit thuaj nuk jam dakord me raportin e KE. Krahaso rekomandimin për Malin e zi dhe Serbinë, nëse ka një dallim, do të jem unë i pari që do kërkoj mbështetjen tuaj”
. /tvklan.al