Berisha: Shqipëria po bëhet vendi i tragjedive, 28 turistë të mbytur
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka komentuar sot numrin e lartë të turistëve të mbytur përgjatë sezonit të fundit në brigjet e Detit Adriatik dhe Jon, që lagin Shqipërinë.
Sipas tij, vetëm këtë sezon në Shqipëri janë mbytur 28 turistë, apo 5 herë më shumë se në të gjitha brigjet e Europës.
Me anë të një postimi në “Facebook”, ai paralajmëron se me këto zhvillime nxihet reputacioni turistik dhe Shqipëria bëhet vendi i tragjedive ujore më të mëdha individuale të turisteve nga mbarë bota!
Mesazhi i plotë:
“
Sezoni turistik i mbytjes së 28 turisteve apo 5 herë më shumë se në të gjitha brigjet e Europës!
Brigjet e Shqipërisë, brigjet e askujt!
Të dashur miq, në Radhimë ndodhi sot mbytja e radhës. Një turiste çeke humbi jetën në det, mbytja e dytë në Vlorë në 4 ditët e fundit dhe e 28-ta e këtij sezoni turistik. Në harkun kohor dy mujor ujërat e brigjeve të deteve tona sikur të ishin brigjet e një vendi pa shtet, gllabëruan në thellësitë e tyre 28 jetë apo 5 herë më shumë jetë pushuesish se sa ujërat e brigjeve të të gjithë kontinentit.
Shpreh me këtë rast ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, dënoj me ashpërsi kujdesin zero te autoriteteve qëndrore dhe lokale të vendit si dhe indiferencën dhe papërgjegjshmërine e tyre ndaj rrezikut të ujit. Theksoj se kjo është një indiferencë kriminale.
Çdo turist apo pushues vendas derdh me shpenzimet e tij si taksa, qindra e mijëra lekë në buxhetin e shtetit gjatë qëndrimit të tij me pushime. Kurse kjo qeveri as dhe autoritet lokale nuk kanë shpenzuar qoftë dhe një qindarke për mbrojtjen dhe sigurimin e tyre nga rreziku i ujit. Përveç kësaj, qeveria, me industrinë e mafies, skafet qe ka favorizuar, ka rritur shumë rrezikun për jetën të turistëve në ujerat e plazheve tona.
Me këto zhvillime nxihet reputacioni turistik dhe Shqipëria behet vendi i tragjedive ujore, pa llogaritur ato rrugore, me të mëdha individuale të turisteve nga mbarë bota!
”/tvklan.al