Berisha siguri për Atalantan
Etrit Berisha e ka ulur qepenin e portës së Atalantas. Kështu e komenton “Gazzetta Dello Sport” faktin që portieri i Kombëtares Shqiptare është një siguri më shumë për klubin e Bergamos.
Berisha ka 310 minuta pa pasuar gol. Gazeta thotë se, nëse nuk do të ishte për golin e Eder me goditje dënimi, rekordi do të kishte qenë 544 minuta ose 40 ditë me rrjetën të paprekur.
Në 6 ndeshjet e fundit ai ka pësuar vetëm një herë dhe ky është një tregues i paraqitjes, sigurisë dhe ambicies së tij personale.
Është edhe një sinjal i hapur për klubin, ku luan si i huazuar nga Lazio. Berisha po bëhet tejet i vlefshëm për Atalantan dhe i çmuar për ekipin kryeqytetas që kërkon 5.5 milionë euro për kartonin e tij.
Priten zhvillime në merkaton e dimrit ku Atalanta mund të paguajë për të patur pronësinë e një prej portierëve më të mirë në Serie A./ TV KLAN