Berisha: Situata është nën kontroll
Kryeministri Berisha është takuar në Shkodër me Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile të ngritur për gjendjen e krijuar nga përmbytjet. Kreu i qeverisë ka theksuar se situata është nën kontroll, por duhet të kryhet sa më shpejt evakuimi i banorëve nga shtëpitë në rrezik.
Berisha, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, u ndal në lagjen Bahçallëk të Shkodrës për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet. Kryeministri u takua me banorë dhe u bëri sërish thirrje për t’u evakuuar.
Ai theksoi se qeveria po e ndjek në mënyrën më intensive situatën, ka një menaxhim efiçent dhe gjithçka është nën kontroll, por shkarkimi i ujërave është i domosdoshëm.
“Fierza ka mbi 48 orë që është nga 1100 në 1800. Kështu që jemi të detyruar të shkarkojmë, por me gjithë shkarkimet që bëjmë ne ruajmë digat. Ne do të bëjmë gjithçka që të mos kemi dëmtime dhe do t’i kompensojmë të gjitha dëmet”, tha kryeministri. Ujërat vazhdojnë të jenë të bollshme dhe shkarkimet e tyre janë absolutisht të imponuara nga prurjet.
Kryeministri Berisha vizitoi sot dhe komunën e Bushatit, për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet dhe masat e marra për përballimin e vështirësive të krijuara.
Kryeministri bëri thirrje për evakuimin e banorëve të mbetur, si një domosdoshmëri për të mbrojtur jetët njerëzore, ndërsa siguroi kompensimin e plotë të çdo dëmi.
“Dua t’ju bëj thirrje atyre që të largohen nga çdo banesë në rrezik. Dua t’i siguroj se qëllimi ynë kryesor është jeta e njerëzve, shëndeti i tyre, pastaj të tjerat ne do t’i kompensojmë. Qeveria është e vendosur që sapo të kapërcejmë këtë moment, të ulemi, ta vlerësojmë dëmin bashkërisht me ju dhe ta kompensojmë atë plotësisht. Por jetët e njerëzve janë gjëja më e çmuar, pastaj vjen gjëja e gjallë që sigurisht është jashtëzakonisht e rëndësishme për jetën e banorëve. Në detyrimin dhe mençurinë tonë është që ne të minimalizojmë dhe të bëjmë çdo gjë për të pasur dëme sa më minimale”, tha kryeministri.
Drejtuesit vendorë e siguruan Kryeministrin Berisha se ndarja e këtyre ndihmave bëhet në bashkëpunim me kryesinë e fshatit dhe autoritetet e tjera vendore. Edhe evakuimi i banorëve është bërë në sajë të ndihmës së madhe të dhënë edhe nga Forcat e Ushtrisë .
Kryeministri vuri në dukje se ka pasur raste që përmbytjet nuk i kanë përballuar as shtete më të fuqishme se Shqipëria. Ndaj mençuria më e madhe është që t’i largohemi rrezikut të tyre sepse në këto kushte vështirësohet edhe ndihma tha Kryeministri.
Tv Klan