Berlusconi propozon qeveri minorance në Itali
Ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni propozon krijimin e një qeverie minorance të drejtuar nga qendra e djathtë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere Della Sera”, Berluskoni thotë se ka ardhur koha që edhe në Itali të ndiqet modeli i disa shteteve europiane, ku parti që nuk kanë shumicën e mjaftueshme ia kanë dalë të qeverisin për një kohë të gjatë me mbështetjen dhe mbikëqyrjen e deputetëve të opozitës.
Berluskoni thotë se zgjedhjet e reja nuk janë të pamundura. Ai shprehet pesimist se Partia Demokratike do të pranojë ftesën e Lëvizjes 5 yjet për të bashkëqeverisur, pasi siç thotë – një vendim i tillë do të ulte edhe më tej elektoratin e tyre. Kreu i dhomës së ulët të parlamentit Roberto Fiko i 5 Yjeve, i mandatuar për të negociuar me demokratët për qeverinë e re tha se pret një përgjigje deri në fillim të majit, por shpresat për një përgjigje pozitive janë të pakta. Italia nuk po formon dot qeverinë e re, pasi asnjë grupim politik nuk siguroi mbi 40% të votave në zgjedhjet e 4 marsit, të nevojshme për të grumbulluar numrin e deputetëve që i mundësojnë formimin e qeverisë.
Tv Klan