BERZH: Ndërmarrjet e vogla nuk po zgjerojnë aktivitetin
Ndërmarrjet e vogla në Shqipëri nuk po arrijnë të shtojnë produktivitetin e tyre. Këto janë sfidat me të cilat po përballet rajoni, sipas raportit të Tranzicionit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. BERZH vlerëson se pas viteve të krizës globale, kryesisht shtetet e rajonit të Ballkanit, përfshirë këtu dhe vendin tonë, kanë rritur ekonominë, por bizneset e vogla nuk po shtojnë numrin e të punësuarve dhe dhe as po zgjerojnë aktivitetin. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se në bazë të anketimeve të bëra, shqetësimet kryesore për këtë kategori janë konkurrenca e pandershme dhe vështirësitë në gjetjen e tregjeve.
“Sipas anketimeve tona së fundmi, shqetësimet parësore për firmat e vogla janë konkurrenca e pandershme, vështirësitë për gjetjen e tregjeve për shitjen e produkteve, dhe më pak aksesi i kufizuar në financim apo kostoja e ofrimit të produkteve bankare.”
Por Jakov Milatovic, ekonomist i BERZH tha se për shumë biznese, rajoni i Ballkanit ngarkon për sipërmarrësit kosto të fshehta.
“Vendet në rajon ofrojnë te investitorët norma më të ulta të tatimit mbi fitimin apo tatimit mbi të ardhurat, por kompanitë mbajnë në llogaritë e tyre edhe “taksat e fshehura”, dhe vetëm duke stimuluar klimën e biznesit dhe reformën në institucione, kjo taksë e fshehtë bie dhe padyshim që stimulon produktivitetin dhe standardin e jetesës për të gjithë”.
Nga ana e saj Banka e Shqipërisë është duke hartuar programe për kreditimin e bizneseve të vogla dhe atyre në sektorin e bujqësisë.
Tv Klan