Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin
Falja e mëngjesit nën masat anti-covid
Me qindra ishin besimtarët myslimanë, që mëngjesin e së premtes iu drejtuan xhamive të kryeqytetit për të falur namazin e Kurban Bajramit. Ndryshe nga çdo vit, masat kundër Covid-19, detyruan mbajtjen e maskave dhe të distancës mes njëri-tjetrit.
Ceremonia kryesore e festës islame u mbajt në Xhaminë e Kokonozit në Tiranë, prej nga kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, ndau mesazhet e paqes, sakrificës dhe harmonisë.
I njëjti ritual për faljen e Kurban Bajramit vijoi edhe në rrethet e vendit.
Për shkak të pandemisë, falja e Kurban Bajramit nga besimtarët në Durrës është mbajtur në mjediset e jashtme të Xhamisë së Madhe të qytetit, ndërsa brenda u lejua vetëm një numër i reduktuar i tyre.
Po ndërsanë Tiranë dhe Durrës besimtarët u përpoqën të respektonin masat antikovid, në rrethe e tjera ato u shkelën. Të dy xhamitë e Kukësit u tejmbushën nga besimtarët. Qytetarët nuk mbajtën maska, e po ashtu nuk u respektua distancimi fizik.
Edhe në Elbasan qindra besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit, duke krijuar kështu grumbullime në xhamitë kryesore të qytetit.
Kurban Bajrami, njihet ndryshe edhe si festa e flijimit dhe paraprihet nga pelegrinazhi i përvitshëm i Haxhit.
Tv Klan