Besnik Mustafaj prezanton programin e tij për Bashkinë e Tiranës – (1 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Reformë e thellë në urbanistikën e Tiranës, zgjidhje të problemit të papunësisë, katër mijë apartamente të reja, një Tiranë e pastër brenda gjashtë muajve. Këto janë premtimet kryesore elektorale të kandidatit të Partisë Demokratike, për kryetar të Bashkisë së Tiranës Besnik Mustafaj.
Besnik Mustafaj:- “Do të zbusim papunësinë, duke krijuar zonë industriale dhe duke favorizuar nga ana fiskale investitorët, ku prioritet do të jetë biznesi vendas. Do të zbusim problemin e të pastrehëve, duke krijuar sistemin e banesave me qira të ulët brenda këtij mandati, ku do të ndërtohen katër mijë apartamente të tilla. Do të ringremë rrjetin e çerdheve dhe kopshteve. Do të ngremë një teatër bashkiak, duke fuqizuar njëherësh edhe teatrot bashkiake ekzistuese në Tiranë. Do të shumëfishohen mjediset çlodhëse, argëtuese e sportive për rininë dhe pensionistët, sipas një programi të posaçëm. Alternativa jonë është më e besueshmja, sepse ajo është përpunuar dhe do të realizohet nga njerëz, të cilët në themel të saj kanë venë jo vetëm mendjen, por edhe energjitë e tyre, për përgjegjësinë dhe seriozitetin, që kërkon dhe meriton ky qytet”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame