Besnik Mustafaj takohet me ambasadorin italian Mario Bova – (6 Shtator 2000)


Besnik Mustafaj takohet me ambasadorin italian Mario Bova – (6 Shtator 2000)

12:56 06/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë së Tiranës Besnik Mustafaj, ka vazhduar dhe sot me takime me përfaqësues diplomatik në Tiranë. Për gati një orë Mustafaji ka biseduar kokë më kokë me ambasadorin italian Mario Bova. Megjithëse nuk është zgjedhur ende kryebashkiak i Tiranës, Mustafaji i ka kërkuar Bovës, mbështetje nga Italia për urbanistikën, infrastrukturën e kryeqytetit, madje edhe liberalizim të vizave për qytetarët shqiptarë.

Besnik Mustafaj:- “I kërkova ambasadorit një lehtësim të mëtejshëm të qarkullimit të qytetarëve të Tiranës. Unë i kërkova ambasadorit italian të thjeshtohet në mënyrë të veçantë, qarkullimi i biznesmenëve të vegjël dhe të mesëm, të cilët kanë vështirësi për marrjen e vizës për të shkuar në Itali. Unë jam një kandidatë dhe si kandidat me besim të plotë se do të fitojë, unë e quaj të natyrshme këtë takim”.

Ndërsa i pyetur për publikimet e testeve paraprake, ku rivali i tij Rama rezulton me më shumë pikë si favorit për kryetar, Mustafaji shprehet, se këto janë manipulime.

Besnik Mustafaj:- “Këto janë diversionet që bën kandidati Rama, mua një gjë mu dukë e çuditshme, mosbesimi që ka ai plotësisht tek partia e cila e ka kandiduar, duke nxjerrë humbëse partinë e tij dhe duke menduar se është vetë individualisht i fituar, kjo tregon se ai ka një problem shumë të madh me partinë e tij”./tvklan.al






Të ngjashme