Besnik Mustafaji fushatë në Kinostudio dhe Laprakë – (14 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Besnik Mustafaji, kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie të Tiranës është takuar me zgjedhësit e tij në Kinostudio dhe në Laprakë. Në zonën ku dhjetë vjet më parë u votua si deputet i Tiranës, Mustafaji ka premtuar se është po ai Besniku i atëhershëm, me të njëjtin përkushtim ndaj problemeve të njerëzve të thjeshtë.
Së bashku do të fitojmë Bashkinë e Tiranës, pasi në tre vjet të qeverisjes së socialistëve, nuk u bë asnjë rrugë, nuk u zgjidh asnjë problem i qytetarëve. Më pas kandidati për kryebashkiak i është drejtuar Laprakës, ku në ish-kinemanë e kësaj zone është pritur nga qytetarët me thirrjen për fitore dhe kundër qeverisë.
Besnik Mustafaj:- “Zgjedhjet do t’i fitojmë sepse ju keni nevojë për një kryetar bashkie normal dhe unë jam një njeri normal. Ju nuk keni nevojë për një kryetar bashkie që bën skeçe. Ju keni nevojë për një kryetar bashkie që flet me ju, diskuton me ju dhe përpiqet bashkë me ju për zgjidhjen e problemeve”.
“Këtu shoh qytetarët e hershëm dhe qytetarët e rinj të kryeqytetit. Ne jemi të barabartë pasi të gjithë e duam njësoj Tiranën dhe i vuajmë njësoj problemet e infrastrukturës së saj”, u është drejtuar Mustafaji zgjedhësve të tij. Në takimin e Laprakës u prezantua dhe kandidati demokrat për kryetar minibashkie Haki Mustafa./tvklan.al