Beteja për Tiranën, premtimet e kandidatëve
Autori: Blendi Fevziu
23:31 14/04/2011Fushata elektorale tashmë ka nisur dhe palët kanë filluar të shpalosin projektet dhe platformat, për të cilat presin që të marrin votën e qytetarëve më 8 Maj.
Lulzim Basha ishte kandidati i parë që hapi fushatën elektorale në Tiranë, ndërsa Rama e hapi pak ditë pas tij. Lulzim Basha, i cili u diskutua shumë nëse do të zgjidhej për të qenë pjesë e zgjedhjeve lokale, është një nga njerëzit më të vlerësuar të kryeministrit Berisha.
Basha hyri në këtë garë me projektin, i cili në thelb të tij ka rikthimin e Tiranës në duart e qytetarëve, duke e argumentuar se atyre nuk u është mundësuar një jetesë normale. Kjo për shkak të gjelbërimit, betonizimit, rritjes së taksave, infrastrukturës së munguar, ajrit të ndotur, mungesës së punësimit, etj.
“Basha për Tiranës” është slogani i demokratëve, të cilët në fushatën e tyre ritheksojnë shpesh se qytetari është në thelb të gjithçkaje dhe problemet e tyre do të marrin zgjidhje pas 8 Majit.
Edi Rama kandidon për një mandat të katërt në Bashkinë e Tiranës dhe në nisje të fushatës deklaroi se gjithçka do të jetë vijimësi e një pune që tashmë është në proces nga ai dhe stafi i bashkisë.
Rikandidimi i Ramës kishte jo pak pikëpyetje, por ai ka një seri projektesh që presin të marrin udhë apo të përfundojën zbatimin Rama flet për mosndarje në zona blu dhe rozë dhe se zgjidhja e problematikave të qytetarëve për një jetësë më të mirë duhet të jetë e njëjtë.
Në programin e tij parashikohet hapja e 10 zonave të banimit, ku 60% e familjarëve mund të blejnë shtëpi me të ardhurat e tyre, hapja e 200,000 vendeve të punës, 17 shkolla të reja, ngritje të kampusit universitar, zgjerimin e 4 spitaleve kryesore të qytetit dhe më shumë hapësira të gjelbërta.
Përveç sloganit “E vetmja rrugë” PS ka hyrë në këtë fushatë edhe me parrulën “Fajin e ka Saliu”, duke argumentuar se çdo problematikë zgjidhjen e merr me largimin e kryeministrit Berisha.
Për të diskutuar mbi betejën për Tiranën në këto zgjedhje lokale, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Arben Tafaj, Besnik Aliaj, Lorenc Vangjeli, Artan Lame, Fatos Lubonja dhe Henri Çili./tvklan.al