Biden dhe Xi Jinping do të takohen virtualisht
Takimi virtual synon përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve
Presidenti Joe Biden dhe lideri kinez Xi Jinping planifikojnë të takohen para fundit të këtij viti. Të dy udhëheqësit kanë arritur një “marrëveshje në parim” për një takim virtual dypalësh.
Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i administratës amerikane i cili ka deklaruar se kjo do të jetë pjesë e një përpjekjeje për të menaxhuar konkurrencën midis dy vendeve.
Marrëveshja vjen pas një takimi gjashtë orësh në Cyrih të mërkurën midis këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare Jake Sullivan dhe homologut të tij kinez Yang Jiechi. Tensionet janë rritur në mes të dy kombeve lidhur me Tajvanin dhe mosmarrëveshjen tregtare SHBA-Kinë.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Sullivan ka theksuar nevojën për mbajtjen hapur të linjave të komunikimit, derisa ka përmendur edhe shqetësimet për provokimet e fundit të Kinës kundër Tajvanit, abuzimet e të drejtave të njeriut kundër pakicave etnike dhe përpjekjet e Pekinit për të heshtur aktivistët në Hong Kong.
Klan News