Biden nënshkruan urdhra për familjet emigrante


Biden nënshkruan urdhra për familjet emigrante

10:20 03/02/2021

Mbi 600 fëmijë ende nuk janë ribashkuar me prindërit

Presidenti i SHBA, Joe Biden ka nënshkruar tre urdhra ekzekutive që kërkojnë të ribashkojnë familjet emigrante, të ndara nga politikat që ndërmori Trump gjatë administratës së tij. Në një përpjekje për të parandaluar emigracionin e paligjshëm, administrata e Trump ndau të rriturit nga fëmijët të cilët nuk kishin dokumente teksa tentonin të kalonin kufirin SHBA-Meksikë.

Biden ka bërë thirrje se do të ngrihet një task forcë për të ribashkuar mbi 600 fëmijë të cilët janë akoma larg familjeve të tyre. Kujtojmë se ish kreu i Shtëpisë së Bardhë kufizoi azilin, ngadalësoi imigracionin e ligjshëm në SHBA dhe anuloi fondet për vendet e huaja.

Presidenti aktual gjithashtu ka propozuar të hartohet një legjislacion për të dhënë shtetësinë për rreth 11 milionë njerëz që nuk kanë dokumente në SHBA. Nën një politikë të emigracionit me tolerancë zero të miratuar në Prill 2018, emigrantët pa dokumente që kalonin kufirin SHBA-Meksikë u burgosën.

Steven Herzog, avokati që kryeson misionin për të bashkuar familjet, fajëson mungesën e informacionit të qeverisë. Herzog shprehet se administrata e Trump duhet që të japë informacionin e nevojshëm për të gjithë prindërit të cilët janë në kërkim të fëmijëve të tyre dhe hapat që duhet të ndjekin ata për t’i rimarrë ata. 

Në Qershor 2018, në një padi të ngritur nga Unioni Amerikan i Lirive Civile gjykatësit amerikanë urdhëruar që fëmijët emigrantë dhe prindërit e tyre të ribashkohen brenda 30 ditësh. Por ata u ndanë nga programi pilot dhe ribashkimi i tyre u urdhërua vetëm një vit më pas.

OKB e dënoi këtë politikë të Trump duke e konsideruar si shkelje të të drejtave të njeriut. Një pjesë e madhe e fëmijëve u strehuan në disa qendra, fati i të cilëve edhe sot e kësaj dite vijon të mbetet i njëjtë./tvklan.al






Të ngjashme