Biden viziton Turqinë, Erdogan gati kërkesën për Gylen


Biden viziton Turqinë, Erdogan gati kërkesën për Gylen

22:40 13/08/2016

Shtëpia e Bardhë njoftoi se zëvendës presidenti Joe Biden do të vizitojë këtë muaj Turqinë. Vizita e tij, e planifikuar për më 24 gusht, do të jetë e para e një udhëheqësi të lartë perëndimor në Turqi, që nga grushti i dështuar i shtetit më 15 korrik.

Vizita vjen në një kohë marrëdhëniesh të tensionuara midis Ankarasë dhe Uashingtonit lidhur me kërkesat që SHBA të ekstradojnë një klerik mysliman i fajësuar për organizimin e grushtit të shtetit.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu njofton se zyrtarët turq kanë përgatitur një kërkesë zyrtare drejtuar SHBA për të arrestuar klerikun Fethullah Gylen.

Këtë javë ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, tha se Turqia ka marrë “sinjale pozitive” nga Uashingtoni në lidhje me ekstradimin e klerikut, ish-aleat i presidentit Erdogan.

Por kryeministri Binali Yildrim përsëriti se vizita e zëvendës presidentit nuk do të shërbejë për të hapur diskutime mbi një kompromis për këtë çështje.

Ankaraja ka bërë tashmë kërkesë për ekstradimin e Fethullah Gulenit, të cilin ajo e akuzon për komplot për të rrëzuar presidentin Rexhep Tajip Erdogan gjatë përpjekjes së dështuar për grusht shteti.

Shtetet e Bashkuara janë përgjigjur se ato duhet të kenë dëshmi kundër klerikut, në mënyrë që të justifikojnë ekstradimin e tij në Turqi. /tvklan.al






Të ngjashme