Bie intensiteti i reshjeve, por uji izolon Darzezën


Bie intensiteti i reshjeve, por uji izolon Darzezën

15:30 03/12/2017

Fshati Darëzezë i Fierit rezulton të jetë e vetmja zonë në rrezik në hartën e përmbytjeve, ku si pasojë e prurjeve të lumit Vjosë është shembur edhe ura duke izoluar rreth 200 familje.

Banorëve të përmbytur u kanë ardhur në ndihmë Forcat e Armatosura.

Pas dëmtimit të urës, po ndërtohet një kalim provizor për t’u mundësuar banorëve lëvizjen drejt Fierit dhe zonave përreth.

E diela ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm edhe në Novoselë të Vlorës, si pasojë e zvogëlimit të prurjeve dhe tërheqjes së ujrave të Lumit Vjosë.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë inspektimi tha se shpëtimi i jetëve njerëzore dhe i bagëtive janë prioritet.

“Të shpëtojmë jetët e njerëzve”.

Kryeministri Rama ishte në Urën Vajgurore. Sipas kreut të qeverisë, investimet për mbrojtjen nga lumi pamundësuan një situatë katastrofike përmbytjesh si ajo e vitit 2015.

“Ështe provë e qartë se pastrimi kanalave, ndërtimi i digës poshtë i shpëtoi ata që përmbyteshin dhe do vazhdojmë për të evidentuar të gjitha pikat e dobëta të kategorisë së dytë. Të ndërhyjmë dhe tek këto që të kemi maksimumin e mbrojtjes se po erdhi uji me atë forcë është sikur me hedh një fuçi ujë në lavaman. Edhe flota e eskavatorëve na ka ndihmuar”.

Pjesë e inspektimeve ishte edhe Urgjenca e re e Spitalit Rajonal të Breatit, që është vënë në shërbim të përforcuar prej 72 orësh.

Pavarësisht pakësimit të reshjeve të shiut, situata vijon të jetë ende shqetësuese në ato zona që janë ende nën pushtetin e ujit. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile thotë se në mbarë vendin janë përmbytur 3.337 banesa.

Vetëm në zonën e Fierit dhe të Vlorës ku si pasojë e daljes së lumit Vjosë nga shtrati janë evakuuar 596 familje dhe janë shpëtuar 1,552 qytetarë, ndërsa janë përmbytur 10,217 ha tokë.

Deri më tani akset rrugore  janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve dytësore e rurale, ku po vijon puna për normalizimin e trafikut. Si pasojë e përmbytjeve janë dëmtuar 28 ura.

Tv Klan






Të ngjashme