Bie mbështetja për socialkristianët në Bavari


Bie mbështetja për socialkristianët në Bavari

20:37 14/10/2018

Socialkristianët bavarezë janë drejt humbjes së shumicës absolute në parlamentin rajonal.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare rajonale të së dielës në Bavari tregojnë se aleatët natyrorë të kristiandemokratëve të kancelares Merkel u renditën të parët, por humbën 12% të mbështetjes, krahasuar me legjislaturën e kaluar. Rënie popullariteti edhe për socialdemokratët, po ashtu partnerë të Merkelit në Berlin.

Fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve bavareze janë të gjelbrit që janë renditur të dytët me mbi 18%. Për të parën herë në parlamentin e këtij shteti federal gjerman do të hyjë edhe Alternativa për Gjermaninë, partia euroskeptike kundër emigrantëve.

Analistët janë të ndarë në mesazhin që dhanë zgjedhjet bavareze. Në njërën anë, rënia e mbështetjes për CSU-në i jep goditje politikës së ashpër kundër refugjatëve të kryetarit të saj, Horst Zehofer, i cili mund të japë dorëheqjen dhe t’i japë frymëmarrje kancelares Merkel në politikat e saj pro-emigrantëve.

Megjithatë partitë e koalicionit të Berlinit pësuan humbje, ndërsa radikalët e djathtë të Alternativës për Gjermaninë zgjeruan hartën e tyre të përfaqësimit rajonal.

Tv Klan






Të ngjashme