Bie me 40% volumi i kredisë së re në Mars


Bie me 40% volumi i kredisë së re në Mars

15:49 02/05/2020

Rriten interesat për individët dhe bizneset

Kredia për ekonominë ka rënë me 40% vetëm gjatë muajit Mars për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19.

Pas një viti me rezultat financiar pozitiv në rritjen e kredisë për ekonominë, sektori bankar ka dhënë më pak hua të reja për biznesin dhe individët duke rritur perceptimin e riskut në pagesën e kësteve mujore, por dhe për shkak të pakësimit të kapacitetit të punës në sportele.

Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave, në muajin Mars rezulton të jenë dhënë 11.2 miliardë lekë kredi, nga 19.2 miliard që ishte niveli i huasë së re në Shkurt.

Marsi ka dhënë efekt edhe në rezultatin final të tremujorit të parë, ku volumi i kredisë së re ra me 26 miliardë lekë kundrejt periudhës Tetor-Dhjetor 2019, periudhë e cila po ashtu ngadalësoi për disa javë ritmin e dhënies së financimeve për shkak të tërmetit të 26 nëntorit.

Normat e interesit për të gjithë llojet e kredisë u shtrenjtuan në Mars, si në monedhën kombëtare edhe në euro.

Interesi për kredi në lekë për biznesin shkoi në 6.37%, nga 5.18% që ishte në shkurt, ndërsa për individët interesat pësuan një rritje prej 13 pikë përqindje krahasuar me një muaj më parë.

Në fund të Marsit, Banka e Shqipërisë uli në nivele historike interesin e lekut duke e çuar atë në 0.5% me qëllim lehtësimin e kostos së kredisë dhe stimulimin e ekonomisë në vend.

Tv Klan






Të ngjashme