Bien fitimet e Bankës së Shqipërisë
Orientimi i normave të ulta të interesit në tregjet ndërkombëtare, e sidomos ato europiane, të cilat sot janë negative, kanë prekur të ardhurat e Bankës së Shqipërisë. Në këto dy vite, 2015-të dhe 2016-të, transferimi i fitimit të bankës qendore në buxhetin e shtetit ka kapur rekordin më të ulët në historinë e saj.
Edhe përgjatë muajve të fundit, banka e shtetit nuk ka derdhur asnjë para në arkë, madje ajo në vend të sigurimit të fitimit, paguan interesa për depozitat që ka në Bankën Qendrore Europiane.
Ambienti ekonomik në eurozonë, por edhe në Shqipëri ka sjellë më pak para për buxhetin e shtetit. Sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, të siguruar nga televizioni Klan, tatimi mbi vlerën e shtuar nuk është realizuar me 47 milion dollarë dhe akcizat me 11 milion. Pavarësisht kësaj, buxheti rezulton me suficit, pasi nuk janë shpenzuar 170 milionë dollarë të planifikuara, të favorizuara kryesisht nga rënia e interesave të borxhit.
Tv Klan