Bilanc lufte për festat e fundvitit në rrethe
Nata e ndërrimit të viteve në Elbasan ka shkaktuar edhe viktimën e parë të vitit 2010.
Mariol Hoxha, vetëm 20 vjeç, ka humbur jetën, pasi është përplasur me motor në një mur pranë universitetit Aleksandër Xhuvani. Sipas policisë, shkak ka qenë shpejtësia e madhe dhe konsumimi i alkoolit.
Po në Elbasan bilanci i të plagosurve nga aksidentet ka qenë si të jetë luftë, pasi tetë persona kanë mbetur të plagosur, nga të cilët dy janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Si çdo vit edhe fishekzjarret kanë shkaktuar plagosje. 5 persona kanë pësuar djegie në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit, ndërsa gjashtë persona janë helmuar nga abuzimi me alkoolin.
Edhe në qytetin e Fierit nuk kanë munguar ngjarjet e rënda. Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, pasi janë goditur nga një plumb rikoshet i qëlluar në një diskotekë.
Po ashtu 8 persona mbetën të dëmtuar nga fishekzjarret, ndersa 20 janë helmuar nga alkooli.
Ndërsa në Lushnje 30 persona kanë pësuar djegie nga fishekzjarret. Policia ka shoqëruar në komisariat rreth 20 persona për prishje të qetësisë publike.
Tv Klan