Birra Tirana privatizohet nga 11 kompani shqiptare – (5 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
11 kompani shqiptare, janë bërë sot përfundimisht pronare të fabrikës së Birrës Tirana. Kontrata e shitblerjes u nënshkrua në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit, nga përfaqësues të të dyja palëve. Ky privatizim nga shoqëritë shqiptare, erdhi pas tërheqjes nga tenderi i shoqërisë, së birrës italiane Peroni.
Me një vlerë prej 4 miliard lekësh të vjetra, 11 ortakët e kompanive shqiptare, blenë 94% të aksioneve, ndërsa vetëm 6% të aksioneve, kanë në dorë punëtorët. Shefikat Ngjela, njëra nga aksionaret e kësaj ndërmarrje, pas këtij privatizimi thotë:
Shefikat Ngjela:- “Absolutisht nuk do të shkurtohet numri i fuqisë punëtore, përkundrazi, ne do ta shtojmë numrin e fuqisë punëtore, do të përmirësohen të gjitha kushtet e punës, do të rritet prodhimi, ndërmarrja nuk do të jetë më e huaj, por do të menaxhohet tani nga 11 kapitalistë shqiptarë, të cilët i dinë mjaft mirë rregullat e lojës. Përveç birrës, ne kemi në projekt që të bëjmë një investim për lëngjet”.
Sipas pronarëve që do të udhëheqin këtë ndërmarrje, çmimi i birrës në treg do të vijë drejt uljes, ndërsa metodat e menaxhimit do të jenë të gjitha perëndimore në mënyrë që Birra Tirana të ketë sukses./tvklan.al