Bisedimet për Sirinë, Tillerson viziton Moskën


Bisedimet për Sirinë, Tillerson viziton Moskën

20:18 12/04/2017

Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, u takua këtë të mërkurë në Moskë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Në fokus të bisedimeve ishte lufta në Siri. SHBA-të i kërkojnë Rusisë të ndalojë mbështetjen ndaj presidentit sirian, Bashar al-Assad. Një mision thuajse i pamundur ky, duke pasur parasysh fjalët e kryediplomatit rus Lavrov.

Sergei Lavrov: “Kjo është politika jonë e vazhdueshme dhe është plotësisht në linjë me ligjet ndërkombëtare dhe nuk është e influencuar nga ngjarje aktuale politike, nga vendimet e vështira dhe të komplikuara pavarësisht nëse ju jeni me ne apo kundra nesh. Akte si ai i javës së kaluar, kur papritur SHBA sulmuan Sirinë, shpresojmë të mos ndodhin më”.

Nga ana e tij, Tillerson u zotua që bisedimet mes dy vendeve do të qëndrojnë të hapura. Kremlini njoftoi se Sekretari amerikan u takua edhe me presidentin Vladimir Putin, por nuk u bë e ditur se për çfarë u diskutua. Teksa kryediplomati amerikan po zhvillonte bisedimet në Moskë, Presidenti Donald Tramp, lëshoi një deklaratë të drejtpërdrejtë për qëndrimin mbrojtës rus nda Assadit.

“Putin po mbështet një person vërtet të lig. Mendoj se është shumë keq për Rusinë dhe njerëzimin. Ai është një kafshë”, tha Trump.

Vizita e Sekretarit Tillerson vjen një ditë pasi vendet e G7 dështuan në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për Sirinë por njëzëri u shprehën se zgjidhja do të vijë pasi Assad të largohet nga pushteti, skenar për të cilin Rusia është plotësisht kundër./Tv Klan

 






Të ngjashme