Bizneset dakord me fiskalizimin por kërkojnë shtyrje


Bizneset dakord me fiskalizimin por kërkojnë shtyrje

15:43 02/09/2019

Bashkimi i prodhuesve: Të nise me Tiranën zonën “pilot”

Fatura elektronike, apo siç njihet ndryshe si platforma e fiskalizimit pranohet unanimisht si sistem nga grupet e biznesit, por ata kërkojnë shtyrje në kohë të implementimit të saj.

Për prodhuesit koha e lënë në dispozicion deri në janar mund të sjellë pengesa për përdoruesit, angazhim për riformatimin e sistemit që sot përdorin  dhe kosto shtesë. Bashkimi i Prodhuesve propozon që fillimisht kjo platformë të vihet në përdorim në kryeqytet.

Ndërsa Konfidustria shprehet se mund të lihet për një periudhë 1 -vjeçare mundësia e bizneseve për të zgjedhur përmes përdorimit të kasave dhe sistemit elektronik.

Sistemi i fiskalizimit do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si funksionon sot sistemi aktual tatimor, duke bërë çdo raportim shitje në kohë reale, duke zhdukur nevojën për përdorimin e kasës fiskale. Përveç kësaj ky sistem do të përfshijë edhe faturat që biznesi ka me njëri tjetrin dhe me institucionet shtetërore.

Por bizneset thonë se përdorimi i kësaj platforme kërkon linja interneti të forta e të sigurta, si dhe ndërtimin e software-ve nga sistemi bankar që të bëhet rakordimi i të dhënave. Ata thonë se vetëm kur të jenë gati të gjithë aktorët sistemi mund të bëhet i zbatueshëm.

Tv Klan






Të ngjashme