Bizneset e reja mund të hapen nga interneti
Ikonomi: Eliminojmë dokumentet edhe te lejet e licencat
Për të hapur sot një biznes, nuk ke nevojë që të paraqitesh fizikisht në sportelet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, por ky shërbim mund të merret përmes një kliku në portalin e qeverisë e-Albania.
Fluksi i personave të cilët kërkojnë këtë shërbim nuk ka ndryshuar, por tashmë ata po asistohen nga punonjësit e QKB-së për të mësuar mënyrën se si të bëjnë aplikimin.
Belinda Ikonomi, Zv/Ministre e Ekonomisë, thotë se përveç regjistrimit të biznesit nga kompjuteri, janë 118 shërbime që kjo qendër ofron online.
Jo vetëm shërbimet janë online, por një pjesë e dokumenteve që kërkohen për t’u dorëzuar, sot sigurohen nga vetë administrata. Belinda Ikonomi sqaron se po punohet që dokumentacioni të hiqet edhe në rastin e aplikimeve për leje dhe licenca në sektorë të ndryshëm të cilët janë në varësi të institucioneve të tjera.
Vetëm në Qendrën e Biznesit, futja e shërbimeve online shkurton mbi 7 mijë ditë pune të punonjësve të administratës dhe eliminon qindra mijë dokumente që dorëzoheshin nga biznesi.
Gjatë këtij viti sistemi i kësaj qendre është integruar edhe me atë të Tatimeve, Doganave, Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore duke shkurtuar kohën për kthimin e një përgjigjeje dhe marrjen e një dokumenti.
Tv Klan